Aktualitet

Masakra e Don Boskos, Prokuroria mbyll hetimet për mikun e Martinajt

I vetmi i arrestuar për ngjarje, Nikolla Sherniku ka 10 ditë kohë që të kundërshtojë gjetjet e Prokurorisë

E.K
Masakra e Don Boskos, Prokuroria mbyll hetimet për mikun e Martinajt
Nikoll Sherniku

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për masakrën e Don Boskos, ku pas të shtënave me armë në lokal u vra Mimoza Paja, banakiere. I vetmi i arrestuar për këtë ngjarje është shtetasi Nikolla Sherniku, i cili akuzohet se ka sjellë targat e falsifikuara nga Gjermania, që u përdorën në makinën e autorëve.

Nikolla Sherniku, dyshohet se ka qenë lidhje shoqërore e Ervis Martinaj do të përgjigjet për akuzën e “krijimit të kushteve për të kryer vrasje”. 

Për të mbërritur tek emri i Nikoll Shërnikut policia dhe prokuroria nuk e kishin të lehtë. Fillimisht nga kontrollet në terren policia zbuloi se targat e përdorura në makinën e vrasësve ishin të regjistruara në emër të një personi nga Kosova. 

Pas bashkëpunimit me autoritetet kosovare u mor dëshmia e tij, ku tha se targat i kishte çmontuar në një servis në Gjermani pas çregjistrimit. Nga shkëmbimi i letër porosive me Gjermaninë rezultoi se kjo targë i ishte dorëzuar Nikoll Shernikut.

Pavarësisht këtyre provave Sherniku ka mbajtur qëndrim mohues duke mos pranuar as pronësinë e targave dhe as lidhjet më grupin kriminal që kreu vrasjen.

Masakra ndodhi më 12 Mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer.

Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati.

Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB