Aktualitet

Zjarret në vend/ 9 vatra ende aktive, më problematike paraqitet situata në Pukë

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse.

M.K.
Zjarret në vend/ 9 vatra ende aktive, më problematike paraqitet
FOTO NGA VATRA E ZJARRIT

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, duke bërë me dije se deri në orën 20:00 janë regjistruar 18 vatra, 9 prej të cilave vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 janë nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatra më problematike vijon të jetë ajo në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë janë evakuuar banorë të zonës. Ndërkohë, operacionet vijojnë edhe në Malin e Milotit, Malin e Dajtit dhe Gjon të Bulqizës.

Në disa zona të tjera, përfshirë Ballaxhiaj të Memaliajt, Qafë Helmes dhe Lufaj të Mirditës, situata paraqitet më e qetë, me vatrat nën kontroll ose të izoluara.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve

(20 Gusht 2026 - ora 20:00)

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 20:00 janë regjistruar 18 vatra zjarri, nga të cilat 9 mbeten aktive dhe 3 janë nën monitorim.

Në operacionet në terren janë angazhuar 383 forca operacionale dhe 24 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore.

Vatrat kryesore aktive:

Gojan–Gjegjan, Pukë – Mbetet vatra më problematike, për shkak të terrenit të thyer dhe erës së fortë. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve të zonës. Operacioni është mbështetur nga toka dhe ajri, përfshirë 40 efektivë të FA dhe 3 helikopterë.

Mal Milot, Kurbin – Vijon ndërhyrja me 3 automjete zjarrfikëse, 1 autobot, 20 efektivë të FA dhe 2 helikopterë. Rreziku për banesat është eliminuar, ndërsa forcat vijojnë punën vënien nën kontroll të vatrës.

Mali i Dajtit – Pas një riaktivizimi, operacioni vijon me forca tokësore dhe 1 helikopter të FA-së. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Gjon, Bulqizë – Vatra mbetet aktive dhe po ndiqet nga 5 zjarrfikës, 22 vullnetarë dhe 4 forca bashkiake, me fokus mbrojtjen e banesave pranë zonës së zjarrit.

Ballaxhiaj, Memaliaj – Falë ndërhyrjes së forcave operacionale, zjarri është vënë nën kontroll dhe aktualisht ndodhet larg banesave. Në operacion janë angazhuar mjete dhe efektivë zjarrfikës, forca policore dhe vullnetarë.

Pozitive paraqitet situata edhe në Qafë Helmes, ku zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe izoluar nga krahu i Selishtës, si dhe në Lufaj të Mirditës, ku vatra është vënë nën kontroll. Në të dyja zonat nuk ka rrezik për banesat dhe vijon monitorimi.

AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në bashkëpunim me strukturat qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile./ZËRI

Poll

MOS HUMB