PUSTEC- Festivali Folklorik Maqedonas i zhvilluar në Pustec është shoqëruar me polemika, pasi gjatë aktivitetit nuk është ekzekutuar himni kombëtar shqiptar, ndërsa është vendosur vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.
Në aktivitetin ku ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mungesa e himnit shqiptar ka sjellë reagimin e kryebashkiakut të Pustecit, Pali Kolefski.
Kolefski ka deklaruar se kishte kërkuar paraprakisht nga organizatorët që, krahas himnit maqedonas, të ekzekutohej edhe himni shqiptar, duke argumentuar se aktiviteti zhvillohej në territorin e Republikës së Shqipërisë.
“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët programin zyrtar. Më kanë thënë që ka këngë e valle tradicionale maqedonase dhe do të hapet me himnin maqedonas. I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar”, është shprehur Kolefski.
Ai ka theksuar se, sipas tij, himni shqiptar duhet të ishte pjesë e ceremonisë, pasi aktiviteti zhvillohej në territorin shqiptar.
“Është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare. Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit, sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, ka deklaruar kryebashkiaku.
Megjithatë, pavarësisht kërkesës së tij, gjatë aktivitetit u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.
Kolefski ka kërkuar ndjesë për situatën, duke sqaruar se Bashkia e Pustecit nuk ka qenë organizatore e aktivitetit, por ka qenë e ftuar.
“Kërkoj ndjesë, vërtet, pavarësisht se nuk më takon mua, sepse s’kam qenë organizator si Bashki e Pustecit. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert”, është shprehur ai.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. I cili sipas Kolefskit nuk e ka pritur mirë situatën.
“Edhe kryeministri maqedonas nuk e priti mirë këtë. Të tre flamujt i kemi çuar nga bashkia si simbol për miqësi midis të dy shteteve që aspirojnë për të shkuar në BE. Kam folur me kryeministrin maqedonas, ishte shumë i shqetësuar në ato momente sepse edhe unë u ndjeva shumë keq dhe e kap kapur si situatë. Por ishte një moment që s’mund të reagoja fare”, tha ai./ZËRI