TIRANË-Violand Braçellari, i cili qëlloi për vdekje policin Enea Mekolli dhe plagosi kolegun e tij Edison Adrin, ka lënë spitalin Ushtarak dhe është shtruar prej disa ditësh në ambientet e spitalit të burgut, pranë QSUT-së në Tiranë. Gjendja e tij shëndetësore ka dalë nga rreziku, shkruan gazetari Elton Qyno. Braçellari u shtrua në QSUT pasi mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit me armë zjarri më 4 qershor.
Pas mjekimit, ai pritet të izolohet në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës ose Peqinit. Hetimet e Prokurorisë së Korçës ndaj tij përfshijnë akuzat e “Vrasjes për shkak të cilësive të veçanta”, “Vrasjes së mbetur në tentativë”, “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit” dhe “Kundërshtim me armë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit”. Për këto akuza, Braçellari rrezikon burgim të përjetshëm.
Në stanin ku fshihej autori, i shumëkërkuari Violandi Bracellari, u gjetën 3 armë, një pushkë model 56 dhe një çifte si dhe arma kallashnikov me të cilën dyshohet se qëlloi mbi policinë. Përveç armëve dhe municionit janë sekuestruar edhe radio komunikimi të ngjashme me ato që përdoren nga Policia e Shtetit, dylbi si dhe dronë.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor më 4 qershor
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur më 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI


