TIRANË-Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Violand Braçellari, i akuzuar për vrasjen e efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjen e efektivit Edison Adri. Prokurorja e çështjes dhe gjyqtari Gentian Sallahu ia komunikuan masën e sigurisë në Spitalin e Traumës, ku ai ndodhet i shtruar.
Braçellari mësohet se ka folur vetëm për një dënim të mëparshëm të dhënë nga Gjykata e Korçës në vitin 2017, të lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike, për të cilin ishte dënuar me 10 vite burg. Ai ka pretenduar se nuk ka qenë i përfshirë në kultivimin e kanabisit, ndërsa nuk ka dhënë deklarime lidhur me akuzat për vrasjen e policit Mekolli dhe plagosjen e efektivit tjetër, Edison Adri.
Çfarë ndodhi gjatë aksionit policor më 4 qershor
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur një ditë më parë 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI