TIRANË-Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masës e sigurimit arrest në burg të dhënë më herët në mungesë për Sajmir Kolaverin, i cili u ekstradua një ditë më parë (6 qershor) nga Italia. Kolaveri ishte i shpallur në kërkim për dyshimet se është i përfshirë në vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së Klevis Lleshit në vitin 2020 në Burrel. Gjatë seancës në GJKKO, Sajmir Kolaveri nuk i ka pranuar akuzat e prokurorisë, duke pretenduar se s’ka lidhje me ngjarjen.
Kolaveri akuzohet për veprat penale "vrasje për gjakmarrje", "Fshehja ose asgjësimi i kufomës" grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale. Ai është familjar i Aurel Hoxhës, i cili po ashtu është shpallur në kërkim për dyshimet si urdhërues i vrasjes së Klevis Lleshit.
Sipas hetimeve, 44-vjeçari Sajmir Kolaveri dyshohet se më 5 gusht 2020 ka bashkëpunuar me Sabah Nuzin, për vrasjen e Klevis Lleshit. Pas ekzekutimit, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet të Mamurrasit, me qëllim fshehjen e krimit.
Klevis Lleshi nga Burreli u zhduk pa lënë gjurmë në gusht të vitit 2020, u vra dhe gropos në fshatin Shpërdhet të Kurbinit. Mbetjet kockore dolën në sipërfaqe nga fenomeni eroziv në këtë zonë që solli rrëshqitjen e tokës në një sipërfaqe të konsiderueshme. Trupi i viktimës u zbulua si rezultat i erozionit të tokës nga banorët e zonës ku pas testit të ADN-së, ka rezultuar se i përkiste të riut nga Mati, Klevis Lleshi./ZËRI
