MALIQ-Nëna e Violand Braçellarit, autori i dyshuar i vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli, ka thyer heshtjen për herë të parë pas ngjarjes së rëndë të 4 qershorit në zonën e Bodës.
Berdane Braçellari deklaron se djali i saj nuk jetonte me të, pasi ishte i dënuar për 10 vjet dhe jetonte “në mal”, dhe shkonte rrallë në shtëpi për të ngrënë. Për akuzat për drogë, ajo deklaroi se në shtëpi i gjetën dy gramë dhe më pas ia bënë “10 gramë”, dhe shtoi se hashashi nuk ishte në shtëpinë e saj por “në banesë të braktisur”. Për pyetjen nëse shteti u kishte ndihmuar me fonde, ajo pranoi se kishin përfituar mbështetje për blegtori, por kundërshtoi pretendimet për lidhje me drogën.
Në reagimin e saj lidhur me vdekjen e efektivit, ajo shprehu keqardhje dhe tha se do të ishte e trishtuar edhe sikur të vdiste i biri. Nëna e autorit theksoi se as djali dhe as polici nuk kanë faj, duke argumentuar se polici duhet ta kishte urdhëruar të ndalte. Braçellari pretendon se djali i saj nuk ka qëlluar i pari ndaj forcave te policise. Ajo tha se kishte tentuar shumë herë ta bindte djalin të dorëzohej, por ai nuk pranoi për shkak të dënimit prej 10 vjetësh për dy gramë hashash. Po ashtu mohoi se Violandi kishte qenë bashkëpunëtor i policisë, duke theksuar se ai ishte kontrolluar shpesh nga forcat policore.
Biseda:
Pyetje – “Ju thoni se djali juaj nuk qëlloi i pari mbi policinë?”
“Polici i ra me parë, pastaj qëlloi djali im. Policia nuk tha as dorëzohuni, as që ishin polic. Violandi ishte fshehur në cep dhe kaloi lart”
Pyetje – “Sa kohë kishte Violandi që rrinte me ju?”
“Violandi me mua jo se rrinte, ishte i dënuar 10 vite. Nuk me rrinte këtu mua, vinte thjesht ndonjëherë të hante bukë. Jetonte në mal, vetëm në mal. Asnjëherë nuk shkonte në fshat apo qytet. Kjo situatë ka 8 vite kështu. Për 10 gram hashash, dy gramë i gjetën në shtëpi, pastaj ja bene 10 gramë “
Pyetje – A ka kultivuar djali juaj këtu ndonjëherë hashash?
“Asnjëherë, në Vlorë punuam me ndërtim, merrnin lek, bëmë 30 dhi rrace dhe i sollëm ketu në Lozhan”
Pyetje – A është e vërtetë që shteti u ka ndihmuar me fonde?
“Kemi marrë. Jo se më ka ndihmuar por i ka rregulla shteti këtu se unë e kam blegtorinë. Jo thotë Artan Hoxha farë Hashashi etj, ja shikoni shtëpinë. Çfarë nuk kemi dëgjuar. “
Pyetje – Si ndiheni ju si nënë, një punonjës policie ndërroi jetë
“Më vjen shumë keq, edhe djali im të kishte vdekur. Nuk ka faj as djali im as polici. Se dhe polici i urdhëruar është. Ai të bënte këtë gjë, të thoshte; ‘Ndal”. Nuk do ishte situata e këtillë. “
Pyetje – A ka patur raste kur ka ardhur me pare policia dhe Renea për të kapur Violandin?
“Disa herë. Nuk bënë këtë që bënë këta. Jo se ka qenë shumë herë, një rast pata. “
Pyetje – Çfarë mesazhi keni për familjen e policit të rënë?
“Më vjen shumë keq, zere sikur me vdiq djali im. Me vjen keq e për të, as nuk i njoh, as nënën as babanë, as djalin. Me vjen shume keq. Jam me ata. Me dhimbset e ai djalë. Nuk e njoh e nuk me njeh. Detyra e tij.”
Pyetje – Do e takosh Violandin?
“Do e takoj se e kam djalë. Me dhimbset. Kam gjithë këto vite me të”
Pyetje – Si ka mundësi që mbante armë, a e dinit ju? I rrezikohen jeta vetëm nga policia apo e të tjerë?
“Nuk e dija që kishte armë. Nuk e kisha parë asnjëherë me armë. Nuk ka djali ti thotë nënës mbaj armë”
Pyetje – A ke tentuar ndonjëherë t’i mbushesh mendjen te dorëzohet?
“Shumë herë. Vetëm i vinte inat, thoshte të dënohem 10 vite për dy gramë hashash, nuk shkel në polici. Hashashi nuk u gjet në shtëpinë time apo në makinën time por në banesë të braktisur.”
Pyetje – Ka patur fjalë se Violandi ka shpëtuar këto vite sepse bashkëpunonte me policinë.
“Çfarë thua? Ata e kishin halë në sy. Halë në sy, çdo vend kontroll, nga të katra anët, kudo që dilte djali do bënin kontroll makinat e çfarë kishte me vete. “
Pyetje – Një ditë para ngjarjes, a iku bariu juaj nga puna?
“Ka ikur sepse e kemi bërë me llaf që do merrte 1 milion lek rrogën po te rrinte mbi një vit. Ai ndenji 10 ditë dhe kërkonte 33 mijë lek ditën. Kaq lek ke, i thashë. Ishte shumë mashtrues.”
Pyetje – Ju besoni që Violandi nuk ka lidhje me lëndët narkotike? Flitet me bariun ka patur bashkëpunim
“Çfarë nuk thonë. Nuk bëhet fjalë ta lajmëronte ai policinë, ai 10 ndenji. Kur u bë lenda narkotike, kur u shit për 10 ditë? “
Efektivi Enea Mekolli, humbi jetën gjatë një operacioni policor të ndodhur një ditë më parë 4 qershor, për kapjen e një personi në kërkim ka ndodhur një përplasje me armë zjarri. Strukturat e policisë kishin lokalizuar një person në kërkim, Violand Braçellari, 43-vjeç, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. 43-vjeçari ishte i fshehur në një stan dhe ka refuzuar thirrjet e policisë për t’u dorëzuar. Në momentin e ndërhyrjes, ai ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Edison Adrit. Gjatë kundërpërgjigjes së policisë për neutralizimin e autorit, edhe vetë Braçellari ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me ambulancë drejt Traumës në Tiranë./ZËRI