TIRANË- Shtetasi Sajmir Kolaveri, 44-vjeç, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Ai u arrestua nga autoritetet italiane në shtator të vitit 2025, pasi akuzohet si ndërmjetës në vrasjen e Klevis Lleshit.
Sipas hetimeve, më 5 gusht 2020, Kolaveri dyshohet se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të tjerë të grupit kriminal për ekzekutimin e Lleshit. Pas ngjarjes, ai dyshohet se ka marrë pjesë edhe në transportimin dhe varrosjen e kufomës në fshatin Shpërdhet, Mamurras, me qëllim fshehjen e krimit.
Njoftimi:
Ekstradohet nga Italia, pjesëtari i një grupi kriminal.
Ai akuzohet nga GjKKO-ja, se ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e një shtetasi, më datë 05.08.2020, për gjakmarrje, dhe për fshehjen e kufomës, në Mamurras.
Në vijim të bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën, në kuadër të operacionit “The ëanted”, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve në kërkim ndërkombëtar, u finalizuan procedurat për ekstradimin nga Italia, të shtetasit:
-Sajmir Kolaveri., 44 vjeç.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 25.09.2025, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe ”Kryerja e veprave penale nga organizatë kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se më datë 05.08.2020, shtetasi S. K. ka bashkëpunuar me pjesëtarë të grupit, për vrasjen e shtetasit K. Ll., dhe më pas për transportimin dhe varrosjen e kufomës, në fshatin Shpërdhet, Mamurras.
Si nisi hakmarrja?
Gjithçka nisi në Britaninë e Madhe, ku pas një sherri që dyshohet për pazare droge u vra Agim Hoxha. Vrasësi i tij ishte Arben Lleshi. Hoxha dhe Lleshi kishin një miqësi të hershme së bashku, e cila datonte që prej fëmijërisë së tyre, por u kris. Shkak dyshohet të jenë bërë pazaret e drogës. Agim Hoxha u vra në Britaninë e Madhe dhe më pas trupi iu dogj brenda makinës.
Autoritetet britanike e gjetën fajtor Lleshin për ngjarjen dhe e dënuan me 32 vite burg. Pas ekstradimit drejt Shqipërisë, ai kishte për të kryer dhe 28 vite të mbetura, të cilat nuk i çoi deri në fund pasi u ekzekutua nga Sokol Mjacaj.
Pavarësisht se drejtësia e tha fjalën e saj, familja Hoxha kishte tjetër skenar në mendje. Të niste hakmarrjen, e cila kishte regjistruar deri atëherë të paktën 4 viktima.
Në vitin 2013 u vra Xhavit Lleshi. Atij iu bë pritë në vendin e quajtur ‘Pujkë’. Më 15 maj të vitit 2016 u vra Hajredin Lleshi, vëllai i Xhavitit, në fshatin e lindjes në Burrel. Goditjet nga familja Hoxha vijuan dhe një vit më vonë. Në vitin 2017 u rrëmbye Artan Lleshi, djali i Hajredinit, të cilin e morën me një makinë në Burrel dhe e sollën në Kamëz. Në Kamëz, ai u pa për herë të fundit nga kamerat e sigurisë së një lokali dhe që nga ajo kohë nuk dihet se çfraë ka ndodhur me të.
Hakmarrjet vijuan. Me Arben Lleshin në burg, familja Hoxha priti që Klevis Hoxha, djali i Xhavit Lleshit, të ekzekutuar në vitin 2013 të rritej dhe të vijonin sagën e hakmarrjes. Klevisit, atëherë 22 vjeç i erdhi radha. Klevis Lleshin u zhduk pa gjurmë në vitin 2020. Ai u mor peng në qendër të Burrelit dhe më pas u zhduk. Derisa dy vite më parë eshtrat e tij u gjetën të groposura në Mamurras. Gishtin i fajtorëve në të gjitha rastet u drejtua nga familja Hoxha./ZËRI