LEZHË- Një shpërthim me tritol është regjistruar mëngjesin e sotëm në në fshatin Rrilë të Lezhës.
Sipas informacioneve parparake lënda plasëse i është vendosur një banese dy katëshe, në pronësi të shtetasit Mirash Ndue Mirashi. Ngjarja është regjistruar rreth orës 03:00, ndërsa shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale në banesë.
Raportohet se në momentin e shpërthimit, çifti i bashkëshkortëve kanë qenë brenda shtëpisë, por fatmiresisht kanë arritur të dalin në kohë nga banesë pa pësuar lëndime.
Pas ngjarjes, kryefamiljari Mirashi ka treguar momentet e tmerrit dhe të panikut pas shpërthimit, ndërsa ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd dhe s'di se te kush të dyshojë. Ai ka kërkuar nga organet kompetente zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Më kanë vendosur dinamitin te era. Shpërthim shumë i fortë. Më kanë rrezikuar jetën. Unë isha në gjumë. Ishalla nuk i ndodh kujt, lus Zotin të jem i fundit. Nuk kam asnjë problem me asnjë. Nuk më shkon mendja te askush. Jetoj me gruan dhe fëmijët i kam jashtë. I bëj thirrje mos të merren me moshën time”, tha ai.
Sipas burimeve, aktualisht ai po merret në pyetje për të verifikuar nëse i biri, i cili ndodhet jashtë vendit, ka pasur ndonjë konflikt që mund të ndihmojë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Ndërkohë, shërbimet e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kqyrin zonën për kamera të tjera sigurie që mund të çojë në identifikimin e autorit-ëve./ZËRI