VLORË-Një zhvillim i fundit pranë lagunës së Nartës, në kufi me fshatin Zvërnec ka ngritur alarmin për shkatërrim të zonës së mbrojtur. Zona është rrethuar me tela, ku pas tyre shtrihet një kantier ndërtimi, me kamionë të rëndë të ngarkuar me inerte dhe mjete të tjera të cilat po operojnë në terren.
Në këto kushte dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërive civile, PPNEA, AOS dhe grupit 'Shpëto Vlorën', më 16 maj protestuan para gardhit rrethues, duke denoncuar dëmtimin e zonës së mbrjotur. Ata kanë hyrë në kantier, duke shkatërruar rrethimet simbolikisht, ndërsa forcat e rendit kanë qëndruar pasive. Pjesë e protestës ishte edhe profesori i Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë dhe aktivisti Ervin Goci, i cili deklaroi se janë rreth 600 hektarë të rrethuar.
Sipas aktivistëve dhe banorëve, hyrja në zonë është kufizuar dhe territori është rrethuar me tela me gjemba, ndërsa mungon transparenca mbi subjektet që po kryejnë punimet dhe natyrën e projekteve në zhvillim. Ata theksojnë gjithashtu mungesën e tabelave informuese dhe komunikimit institucional me komunitetin. Protestuesit paralajmërojnë se projekti i paralajmëruar si një zhvillim turistik mund të shndërrohet në një transformim masiv urban që rrezikon zhdukjen e habitatit natyror.
Kush po ndërton?
Punimet po zhvillohen nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila ka përfituar dy leje zhvillimi për ndërtimin e një resorti turistik masiv gjatë vitit 2025, por këto leje nuk janë bërë ende publike. Projekti lidhet me një investim të prezantuar më herët në media ndërkombëtare dhe parashikon ndërtimin e mijëra njësive akomoduese në një zonë që ndan lagunën e Nartës nga deti Adriatik.
“Zvërnec South Adriatic Development” është në pronësi të kompanisë offshore “Dutch Trust Management BV” të regjistruar në Holandë. Sipas dokumenteve të dorëzuara në QKB, kjo kompani është e lidhur përmes një grupi kompanish edhe me projektin e Sazanit dhe dy vëllezërit investitorë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat.
Në faqen zyrtare të KKTU-së, rezulton se më 29 prill të këtij viti është dhënë leje vetëm për rrethimin e pronës dhe punime përgatitore siç janë rrugët brenda kanierit.

Nga ana tjetër, edhe Afrim Qëndro, drejtori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT, tha se punimet në zonë nuk ishin kompetencë e institucionit që ai drejton. Qëndro tha se po punohej për hapjen e një rruge ekzistuese dhe përgjegjësia binte vetëm mbi Administratën e Zonave të Mbrojtura.
"Në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikimet në terren në Pishë-Poro-Nartë. Nga ky verifikim është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.
Këto punime rezulton se po kryhen në bazë të Vendimit Nr.5, datë 29.04.2026 “Për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë "Zvërnec South Adriatic Development" sh.p.k. Leja e sipër cituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 Kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development Sh.P.K. Për çdo leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, IKMT krijon grupe të përbashkëta inspektimi në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit me synim garantimin e ligjshmërisë në zbatimin e projekteve të miratuara", njoftoi IKMT.
Në terren situata vijon të jetën e tensionuar me ndërtimet që vijojnë dhe protestat para tyre, deri në një sqarim të situatës nga institucionet përkatëse.
