ULQIN-Është identifikuar viktima e ngjarjes tronditëse në Ulqin, ku një 36-vjeçare u vra nga partneri i saj. Viktima është identifikuar si Dila Ndoj, 36 vjeçe, nga Balldreni i Lezhës, e cila dyshohet se u vra nga bashkëjetuesi i saj, Bashkim Gashi, 46 vjeç nga Kosova.
Sipas hetimeve paraprake, pas krimit ai i vuri flakën banesës ku jetonin në lagjen Kodre të Ulqinit, me dyshimin për të fshehur gjurmët. Policia malazeze bëri të ditur se trupi i pajetë i 36-vjeçares u gjet brenda banesës së përfshirë nga flakët, ndërsa autori i dyshuar u arrestua pak më vonë me lëndime të marra nga zjarri.
Fillimisht, policia u njoftua për një zjarr në një banesë. Me të mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë gjetur trupin e pajetë të 36-vjeçares. Gjatë ndërhyrjes, u konstatua me djegie trupore edhe Bashkim Gashi, i dyshuar si autor i ngjarjes.