TIRANË-Vala e komenteve negative të publikuara online ndaj disa bizneseve shqiptare të sektorit të turizmit ka vendosur në lëvizje pronarët dhe Policinë e Shtetit.
Numri i bizneseve që kanë denoncuar në Policinë e Shtetit fushatën e koordinuar me komente dhe vlerësime negative në platformën Google ka shkuar në 15, ndërsa hetimet e Krimit Kibernetik vijojnë për të identifikuar organizatorët e dyshuar të kësaj skeme. Raportohet se Policia ka identifikuar më shumë se 200 persona që dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre të rregullta në rrjetet sociale për të publikuar ose shpërndarë vlerësime negative ndaj bizneseve.
Hetuesit kanë ngritur disa vepra të mundshme penale, mes tyre "manipulimi i tregut", "manipulimi i çmimeve", "përhapja e informacioneve të rreme", "shpifja" dhe "falsifikimi kompjuterik". Sipas hetimeve fushata e ndërmarrë është një tentativë për dëmtimin e reputacionit online të bizneseve të lidhura me persona publikë, përmes publikimit të vlerësimeve negative dhe komenteve në platformat digjitale.
Vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita paralajmëroi më herët më 9 korrik se çdo person që do të rezultojë i përfshirë në veprime të paligjshme do të përballet me përgjegjësi ligjore.

