TIRANË-Bashkëpunëtorja e drejtësisë në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, Adela Kondakçiu, financiere në kompaninë e Ajola Xoxës, ka paraqitur këtë të hënë konkluzionet e mbrojtjes në seancën gjyqësore. Kondakçiu përmes palës mbrojtëse ka deklaruar se nuk ka synuar përfitim personal dhe se përfshirja e saj në veprimtarinë e kundërligjshme ka ardhur si pasojë e ndikimit dhe udhëzimeve të bashkëshortes së kryebashkiakut, Ajola Xoxës.
“Nuk kam bërë asgjë, nuk kam pasur pjesëmarrje, kam zbatuar urdhrat dhe nuk kam përfituar asgjë”, thuhej në një deklaratë të Kondakçiut, të lexuar në seancë.
Mbrojtja e Kondakçiut i kërkoi gjykatës të mos e konsiderojë përgjegjëse klienten e saj për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”. Sipas avokatëve ajo nuk ka përfituar nga këto veprime, por ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë dhe ka ndihmuar në sqarimin e rrethanave të çështjes, pavarësisht kostove personale të përballuara.
Adela Kondakçiu ka punuar për një kohë të gjatë, që prej vitit 2018, si financiere e Ajola Xoxës por ishte hequr nga puna pasi kishte shprehur pakënaqësi për pagesat. Ajo u mor në pyetje më 10 dhjetor 2024, 4 ditë pasi i ishte bërë kontroll personal më 6 dhjetor, kontroll zyre si dhe i ishte sekuestruar celulari. Gjatë marrjes së saj në pyetje, ajo pretendoi se kishte pasur presion nga Xoxa.
Në këto kushte Prokuroria e Posaçme tha se Kondakçiu u ka qëndruar atyre që ka thënë më herët, megjithatë u shpreh se këto janë pretendimet e saj.
Në përfundim të seancës, avokatët kërkuan kohë shtesë për përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare. Seanca e radhës u caktua më 23 korrik, kur do të vijojnë konkluzionet përfundimtare të avokatëve të të pandehurve të tjerë.