Aktualitet

I ndërtuar nga trafiku i drogës! "Rich Hotel" nën sekuestro, por sërish në 'duart' e pronarëve?

Burime për ZËRI bëjnë me dije se pavarësisht sekuestrimit dhe një hetimi në vijim hoteli vazhdon aktivitetin normal me pronar Edri Bulicën dhe nënën e tij Edlira Bulica.

F.I
I ndërtuar nga trafiku i drogës! "Rich Hotel" nën
“Rich Hotel”

KORÇË-Skema e pastrimit të parave të trafikut të drogës në biznese dhe ndërtime është një formë e njohur tashmë, e përdorur gjerësit nga personat që vihen nën hetim, por një rast i paprecdentë ka ndodhur në Pogradec, ku hoteli në sekuestro ka mbetur sërish në duart e pronarit.

Bëhet fjalë për “Rich Hotel” në pronësi të familjes Bulica, i cili është vendosur nën sekuestro nga Prokuroria e Korçës më 26 shtator 2025. Në njoftimin zyrtar Prokuroria e Korçës raportonte asokohe se pronarët dyshohen se kanë investuar të ardhurat e përfituara nga trafiku i narkotikëve në Itali dhe Spanjë në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i regjistruar në emër të tyre dhe familjarëve.

Burime për ZËRI bëjnë me dije se pavarësisht sekuestrimit dhe një hetimi në vijim hoteli vazhdon aktivitetin normal me pronar Edri Bulicën dhe nënën e tij Edlira Bulica. Sipas njoftimit zyrtar, sekuestrimi i “Rich Hotel” dhe disa pasurive të tjera erdhi pas një hetimi trevjeçar të Prokurorisë së Korçës, me dyshimin se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, megjithatë pasuritë kanë kaluar sërish në duart e familjes Buliçka. Si është e mundur që në mungesë të një vendimi përfundimtar të formës së prerë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit për konfiskim, prona të vijojë aktivitetin normal? 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, kërkoi sekuestrimin e pasurive në shtator 2025 dhe tre ditë më vonë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara (AAPSK) konfirmoi nisjen e procedurave për marrjen në dorëzim të pronave, por hoteli mbeti në duart e pronarit.

Prokuroria njoftoi se familja Bulica nuk justifikonte pasuritë e krijuara me të ardhura të ligjshme, ndërsa vetë Edri Bulica pretendonte se kishte të ardhura nga puna si kamarier, por në të vërtetë referuar edhe raporteve të shërbimit nuk rezulton të ketë qenë ndonjë herë i punësuar. Edhe nëna e tij, Edlira Buliçka, rezulton se prej dhjetorit 2021 ka regjistruar një aktivitet tregtar me “shitje online”, por sipas prokurorisë, adresa e ushtrimit të aktivitetit përkon me adresën e banesës, çka ngre dyshime mbi funksionimin real të biznesit.

Po të njëjtat burime bëjnë me dije për ZËRI se veç, pronës në sekuestro, familja Bulica ka përifituar edhe menaxhimin e një zone plazhi në Pogradec. 

Qëllimi kryesor i sekuestrimit është të sigurojë që prona të jetë e bllokuar përkohësisht, në mënyrë që të mos tjetërsohet ose transferohet gjatë kohës që zhvillohet hetimi ose gjykimi penal dhe vetëm kur hetimi përfundon pa ngritur akuza, pronari ka të drejtë të kërkojë kthimin e pronës së sekuestruar. Në këtë rast pronarët vijojnë punën në hotel edhe pse një vendimi i marrë nga autoritetet kompetente mungon. 

Çfarë roli kanë pasur Prokuroria e Korçës, gjykata dhe AAPSK në administrimin e hotelit pas sekuestrimit? Mungesa e transparencës mbi zbatimin e masës së sekuestros ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po administrohen pasuritë në hetim.

Poll

MOS HUMB