TIRANË- Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ të miratuar nga qeveria për tubimet. Sipas vendimit, bëhet fjalë vetëm për pjesën që parashikon gjoba për bllokimin e rrugëve.
Gjyqtarët kanë pezulluar me shumicë votash zbatimin e nenit 5 të aktit normativ në pjesën që parashikon sanksione administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë zhvillimit të tubimeve, kur kjo sjell pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit është
Në vendim theksohet se Kushtetuesja ka vendosur që kërkesa të shqyrtohet me përparësi, pa pritur afatet e zakonshme procedurale, të cilat mund të shkojnë deri në tre muaj.
“Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Shqyrtimin me përparësi të çështjes”, thuhet mes të tjerash në vendimin e Kushtetueses./ZËRI