Aktualitet

Mir Pepa trafikoi tonelata me kokainë, kompania e tij 'Pepa Group' fiton tenderin 5 mln € për rindërtim

Në përfundim të procedurave, Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues kompaninë “Pepa Group”, e krijuar nga Jetmir Pepa.

F.I
Mir Pepa trafikoi tonelata me kokainë, kompania e tij 'Pepa
Jetmir Pepa

TIRANË-Teksa SPAK ka sekuestruar kompaninë 'Pepa Group', pasi dyshohet se përdorej për pastrimin e parave të drogës, subjekti ka marrë një tender me vlerë 5 milionë euro nga Bashkia e Tiranës për rindërtimin e Kombinatit. Kompania është nën sekuestro, ndërsa Jetmir Pepa i arrestuar në Dubai, kërkohet nga SPAK për trafik ndërkombëtar droge, por institucionet publike vijojnë t`i japin miliona euro.

Në 24 nëntor 2026, administrata lokale ka mbyllur tenderin me objekt “Hartimi i projektit dhe zbatimi i punimeve për ndërtimin e godinës 11 në zonën zhvillimore “Kombinat”.

Për këtë procedurë, fondi limit ishte 471 milionë lekë të reja ose pak më shumë se 5 milionë euro. Në përfundim të procedurave, Bashkia e Tiranës ka shpallur fitues kompaninë “Pepa Group”, e krijuar nga Jetmir Pepa. Syri shkruan se të dhënat zyrtare tregojnë se kompania e Pepës nuk kishte paraqitur ofertën më të ulët financiare. 

SPAK lëshoi masat e urdhër-arrestit për Jetmir Pepën dhe grupin e tij në kuadër të operacionit të ndërmarrë më 15 prill. Ata akuzohen për trafikimin e rreth 7.5 ton kokainë. Hetimet tregojnë se grupi në fjalë ka operuar gjatë viteve 2019–2021, ndërsa janë evidentuar 8 episode të trafikimit të drogës në sasi të mëdha nga Amerika Latine drejt Holandës e Blegjikës.

Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste, ngarkesat e drogës janë kapur dhe sekuestruar nga autoritetet europiane, ndërsa në raste të tjera dyshohet se një pjesë e sasisë ka arritur të kalojë. Në disa prej episodeve, kokaina është fshehur në kontejnerë me produkte ushqimore, si fruta të ngrira, peshk dhe banane, për të shmangur kontrollet doganore.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë sekuestrimin e pasurive që lidhen me Jetmir Pepën. Bëhet fjalë për miliona euro pasuri, përfshirë kompaninë “Pepa Group”, një HEC, hotele, apartamente dhe sipërfaqe toke./ZËRI

MOS HUMB