TIRANË-Një hetim i SPAK, i nisur për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka çuar në hapjen e dosjeve të tjera hetimore, për vëllain e Veliajt, Arbër Veliaj dhe çiftin e bashkëshortëve deputeten e PS, Olta Xhaçka dhe ish-deputetin e PS, Artan Gaçi. Provat fillestare që kanë shërbyer për hapjen e këtyre çështjeve në SPAK, janë disa komunikime dhe shënime të zbuluara në kompjuterin dhe telefonin e sekuestruar Adela Kondakçi, financieres personale të Ajola Xoxes.
Adela Kondakçi, sot gëzon statusin e bashkëpuntores së SPAK dhe sipas dosjes hetimore ajo ka pasur marëdhënie pune me financat e ish-kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro. Pikërisht nga kjo çështje penale e Jorgo Goros, SPAK shkoi tek Adela Kondakçi dhe më pas tek dosja e Erjon Veliaj, Ajola Xoxes, Arbër Veliaj dhe tashmë ka kaluar tek një seri transaksionesh bankare që lidhen me çiftin e bashkëshortëve, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.
Disa shënime të sekuestruara në kompjuterin e financieres Adela Kondakçi dhe komunikime ne telefonin e saj, tregonin për disa pagesa monetare që lidheshin direkt me deputeten e PS, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe bashkëshortin e saj Artan Gaçi, shkruan gazetari Elton Qyno. Këto materiale kanë sjellë nisjen e një hetimi të ri për korrupsion dhe pastrim parash, ndaj deputetes Olta Xhaçka, Artan Gaçi si dhe personave të tjerë, përfshirë dhe Ardi Hysa ish-këshilltar i Olta Xhaçkës në periudhën kur ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.
Lidhur me këtë çështje SPAK, ka marë dhe dëshminë e Adela Kondakçi e cila ka qënë nën hetim për dosjen Veliaj, duke treguar detaje për shënimet e mbajtura prej saj të pagesave në lekë, për llogari të çiftit. Duke u mbështetur në këto prova, 1 muaj më parë SPAK ftoi në prokurorinë e posaçme SPAK çiftin e bashkëshortëve Artan Gaçi dhe Olta Xhaçka, të cilëve u është komunikuar akuza e “Korrupsionit pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Në këtë histori del edhe emri i Ardit Hysës. Dyshohet se ai mund të ketë shërbyer si ndërmjetës për interesa të lidhura me çiftin Xhaçka–Gaçi, përfshirë veprime financiare në Vjenë. Dyshimi lidhet me rolin e tij të dikurshëm pranë ministres dhe me pistën austriake të hetimit.
Transaksionet e dyshuara në Austri, kapin qindra mijëra euro dhe i përkasin periudhës kur Xhaçka drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes. Bëhet fjalë për një skemë korrupsioni në tenderat me procedurë sekrete për blerje armatimi dhe municioni nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ministri ka kryer procedura tenderimi për blerjen e armëve dhe municioneve te një subjekt privat. Burimet pranë SPAK sqaruan se pjesa takuese e eurove për ministren Xhaçka është kaluar në një bankë në Austri, ku eurot më pas janë tërhequr nga një ish-këshilltar i saj dhe bashkëshorti Artan Gaçi.
SPAK pretendon se ka arritur të sigurojë prova në telefonin e Artan Gaçit dhe Adela Kondakçi dhe se në disa raste, përmes këtij telefoni, ka biseduar me persona të tretë dhe vetë ministrja e atëhershme e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Bisedat janë të një natyre të tërheqjes së shumave financiare nga një bankë në Austri. Për të verifikuar këto biseda, prokurorisë së posaçme SPAK i është dashur të dërgojë letërporosi në Austri, me qëllim marrjen e të gjithë praktikës dokumentare në bankën austriake dhe një sërë provash të tjera.
Pas mbërritjes së përgjigjes nga Austria, prokurorët e SPAK kuptuan se transaksionet lidheshin direkt për përfitim financiar me çiftin bashkëshortor, Olta Xhaçka dhe Artan Gaçi.