TIRANË- Gjykata e Posaçme ka dhënë këtë të enjte vendimin për një nga fraksionet e dosjes së SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj që u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg për pastrim parash, por pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij është reduktuar në 4 vite e 8 muaj burg. Sipas SPAK përmes kompanisë së tij 'Rametal' jan qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.
Për këtë çështje GJKKO ka dënuar edhe shoqërinë 'Rametal' SHPK me 18 milionë lekë gjobë. Edhe kjo masë është reduktuar për shkak të gjykimit të shkurtuar duke zbritur në 12 milionë lekë, të cilat duhet të paguhen brenda gjashtë muajve.
Ndërkohë, gjykata ka vendosur pafajësinë për biznesmenin Fatmir Bektashi dhe shoqërinë 'Kontakt' SHPK.
Fraksioni i dosjes përfshinte tetë persona dhe tri shoqëri tregtare, ndërsa u veçua për t'u gjykuar me procedurën e shkurtuar. Vendimi i sotëm përcakton përgjegjësinë penale për të pandehurit dhe subjektet tregtare të përfshira në këtë pjesë të hetimit të SPAK./ZËRI