TIRANË-Akti normativ për tubimet i cili i jep të drejtën e Policisë së Shtetit për të ndaluar ose kufizuar paraprakisht protesta kur ka rrezik të afërt për dhunë dhe parashikon vendosjen e gjobave ndaj protestuesve është kundërshtuar në Kuvend nga opozita. Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi u shpreh se ndryshimet e propozuara rrezikojnë liritë themelore të qytetarëve dhe mund të rikthejnë praktika të diktaturës. Korreshi deklaroi se akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut.
Saimir Korreshi: Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe briskut. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni. E kemi edhe ne briskun me vete. Tha të na hash atë që s’thuhet partisë sonë. Çfarë t’i hash partisë suaj… Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve. Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut.
Edhe kreu i PD-së, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend anulimin e aktit normativ për tubimet, duke e cilësuar antidemokratik dhe në shkelje të së drejtës për të protestuar.
Sali Berisha: U them shqiptarëve se në mënyrë absolute, asnjë prej atyre që ka marrë plumbin në ballë, në gojë, pas veshit, breshëri në trup, iu janë thyer kockat, nuk kanë bërë asgjë të jashtëligjshme. Gjykata i ka shpallur të gjitha të paligjshme arrestimet, përveç katër. Do të hysh në histori, anuloje ligjin për tubimet. Studentët e kanë çuar në Kushtetuese këtë çështje. Hiqe nga rendi i ditës dhe të presim vendimin e gjykatës. Nuk mund të ketë alternativë tjetër. Nuk kanë faj qytetarët që ju mbroni vjedhjet. Fundi juaj është i afërt.