Politikë

Samiti/ Nga integrimi në BE te fondet shtesë: 338 mln € për Shqipërinë, Malin e Zi e Maqedoninë

Von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa u ndal edhe te mbështetja financiare e BE-së për rajonin. 

F.I
Samiti/ Nga integrimi në BE te fondet shtesë: 338 mln € për
pamje nga samiti (liderët e BE dhe të Ballkanit Perëndimor)

BRUKSEL-Në Bruksel u mbajt samiti i radhës i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ku liderët e rajonit dhe ata europianë konfirmuan angazhimin për të çuar përpara procesin e zgjerimit me kushtin e përmbushjes së reformave.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, ku vlerësuan progresin e vendeve kandidate. Von der Leyen vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit, ndërsa u ndal edhe te mbështetja financiare e BE-së për rajonin. 

Presidentja e Komisionit Europian deklaroi se reformat e ndërmarra sjellin ndryshime konkrete dhe mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

"Po shohim përparim inkurajues. Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull. Një vit më parë, partnerët kishin realizuar 38% të reformave të parashikuara, ndërsa sot kemi arritur në 63%. Këto reforma sjellin ndryshime konkrete dhe mund të zhbllokojnë 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme,"- u shpreh Von der Leyen.

Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Bashkimi Europian të ulë në një tryezë të gjitha vendet kandidate, ndërsa tha se Shqipëria duhet parë si kandidatja më serioze për progresin e bërë në luftën kundër korrupsionit./ZËRI

MOS HUMB