BRUKSEL-Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mes tyre kryeministri Edi Rama janë mbledhur në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor. Rama teksa mbërriti në Samit, u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të japë një sinjal të qartë politik për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke i afruar më shumë me strukturat evropiane dhe duke u dhënë qytetarëve të tyre një mesazh konkret për të ardhmen.
Rama u pyet edhe lidhur me hetimet në vend, ku u shpreh se 'ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz'. Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se çdo çështje duhet të trajtohet në respekt të procedurave të rregullta ligjore, duke theksuar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.
Edi Rama:Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës.
Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria portretizohej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin. Natyrisht, çdo çështje duhet të kalojë përmes procesit të rregullt ligjor, por është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin. Dhe pikërisht kjo është arsyeja përse Shqipëria duhet të shihet me një sy shumë pozitiv.