Politikë

Ndreca denoncon pengesat në burgun e Fierit: Sërish nuk më lejuan të takoj Veliajn

Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreca thotë se ndodhej prej orës 16;50 në pritje për të hyrë në institucion, ndërsa e konsideron këtë veprim shkelje të të drejtës së avokatit për t'u takuar me klientin.

M.K.
Ndreca denoncon pengesat në burgun e Fierit: Sërish nuk më lejuan
Pamje nga jashtë Burgut të Fierit, foto e publikuar sot nga avokati Plarent Ndreca

FIER- Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca pretendon se i është refuzuar sërish hyrja në Burgun e Fierit për t’u takuar me klientin e tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreca thotë se ndodhej prej orës 16;50 në pritje për të hyrë në institucion, ndërsa e konsideron këtë veprim shkelje të të drejtës së avokatit për t'u takuar me klientin.

Ai i ka bërë thirrje Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes dhe Prokurorisë së Fierit të ndërhyjnë duke mbajtur përgjegjës drejtorin e burgut për atë që e cilëson si shkelje të përsëritur të ligjit.

Reagimi i Ndrecës:

Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.

Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.

Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.

Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.

I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë./ZËRI

MOS HUMB