TIRANË-Sezoni i verës ka startuar, e teksa raportimet përqëndrohen në vendet bregdetare, korriku ka hyrë me një bilanc tronditës sa i përket numrit të vrasjeve të ndodhura. Në vetëm katër ditë janë shënuar katër vrasje, me krim në familje ku burri vret gruan në Shkodër, ekzekutim me breshëri plumbash në Laç e Dukagjin dhe vrasje në Vorë!
Mesditën e 9 korrikut qyteti i Shkodrës u trondit nga një krim në familje, ku Shtjefën Ziçi vrau me çifte bashkëshorten e tij, Bardhe Ziçi, në derën e shtëpisë. Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë xhelozia në çift, ku pak para krimit mes bashkëshortëve ka pasur një debat. Dyshohet se 62-vjeçari i ka kërkuar celularin bashkëshortes së tij, ku pas debatit verbal Ziçi ka marrë armën e gjahut që e posedonte me leje dhe ka qëlluar ndaj gruas së tij, duke e lënë të vdekur në vend. Megjithatë pala mbrojtëse e Shtjefën Ziçit pretendon se 62-vjeçari ka marrë çiften për ta pastruar dhe nuk ka qenë në dijeni se ka patur plumba brenda, sepse ka qenë bashkëshortja që ditë më parë e ka mbushur duke mos e vënë në dijeni burrin e saj.
Brenda 24 orëve, mbrëmjen e 9 korrikut arma u shkrep edhe në qytetin e Laçit: Ilir Gjini, i njohur edhe me emrat Ilir Lika, alias Kokaj dhe alias Nure u ekzekutua me 7 plumba teksa po hynte në banesën e tij. Ndaj tij është hapur zjarr sapo ka zbritur nga automjeti i parkuar, por teksa ka tentuar të largohet ai është ndjekur dhe qëlluar sërish pranë hyrjes së godinës ku banonte. Lidhur me krimin në kërkim është shpallur Emiljan Suti, i cili rezulton person me precedent kriminal dhe i dënuar me 5 vite burg për “kanosje për shkak të detyrës". Viktima dhe autori ishin fqinj, pasi banonin në të njëjtën lagje dhe dyshohet se shkak i atentatit është bërë një konflikt i mëparshëm mes tyre.
Dy ditë më vonë, më 11 korrik në fshatin Lin, në aksin rrugor Kir–Prekal, në zonën e Dukagjinit u ekzekutua me breshëri plumbash automatiku 40-vjeçari Aleksandër Koçeku. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor sekuestroi 25 gëzhoja automatiku. Automjeti me viktimën brenda u konstatuar nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë Policinë. Aleksandër Koçeku ishte vëllai i Artan Koçekut, i cili po vuan dënimin me burg për vrasjen e Angjelin Shkambit. Sipas dosjes hetimore të asaj kohe, Shkambi u ekzekutua pranë varrezave të qytetit të Shkodrës me 10 plumba, ndërsa motivi i dyshuar ishte një borxh prej rreth 40 mijë eurosh.
Mësohet se Aleksandër Koçeku jetonte prej vitesh nën frikën e një hakmarrjeje të mundshme dhe lëvizte me kujdes për shkak të konfliktit të nisur pas ngjarjes së vitit 2017. Ai punonte në një furrë buke në qytetin e Shkodrës. Megjithatë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Minutat e para të 12 korrikut do të shënonin një tjetër vrasje në vend: rreth orës 00:10 Edmond Sula, i njohur edhe me emrin Ali Sula u ekzekutua me një plumb pas shpine në derën e shtëpisë në fshatin Bërxullë, në Vorë. Sipas hetimeve paraprake plumbi u shkrep nga një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Viktima merrej me shit-blerje pronash, ndërsa Policia po heton konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga profesioni i tij.
Hetimet pritet të zbardhin motivet dhe autorët e këtyre ngjarjeve, ndërsa shqetësimi për siguri mbetet i lartë./ZËRI