TIRANË- Avokati Altin Goxhaj ka njoftuar se do të depozitojë një kallëzim penal në SPAK ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përndjekje të paligjshme të qytetarëve.
Sipas Goxhajt, kallëzimi vjen pas deklaratave të fundit të kreut të Policisë lidhur me identifikimin e mbi 10 mijë llogarive në rrjetet sociale, të cilat dyshohet se kanë publikuar komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve në Shqipëri.
Përmes një deklarate publike, avokati Goxhaj thekson se veprimet e Policisë nuk mbështeten në një bazë të qartë ligjore, duke shtuar se identifikimi i përdoruesve mund të jetë kryer pa ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm për një vepër penale konkrete.
Fillimisht avokati e nis me nenin 4, sipas të cilit, skush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është parashikuar shprehimisht me ligj si krim ose kundërvajtje penale
Në draftin e kallëzimit të publikuar në rrjete sociale, avokati ngre dyshime për shkelje të nenit 248 të Kodit Penal, që lidhet me shpërdorimin e detyrës. Sipas avokatit, ekziston dyshimi se kompetencat e Policisë janë ushtruar në kundërshtim me ligjin nëse rezulton se nuk ekzistonte një procedim penal i regjistruar mbi një vepër penale konkrete .
"Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka autorizuar ose ka bërë publike kryerjen e një veprimtarie identifikuese dhe verifikuese ndaj mijëra qytetarëve pa bërë publik ekzistencën e bazës ligjore që e autorizon një veprim të tillë.", thuhet në draftin e kallëzimit.
Gjithashtu, Goxhaj prek edhe nenin 143/b të Kodit Penal që rregullon mashtrimin kompjuterik, i cili sipas tij, nuk përfshin publikimin e review-ve negative apo thirrjet për bojkot.
Avokati kërkon nga SPAK që të verifikojë nëse veprimet e Policisë kanë qenë proporcionale, të nevojshme dhe të mbështetura në një bazë të qartë ligjore, pasi sipas tij, deklarata e Drejtorit të Policisë ka shkaktuar një efekt frikësues ndaj ushtrimit të lirive kushtetuese të protestës dhe të shprehjes.
Postimi i plotë i avokatit:
Po hartoj KALLZIM PENAL në SPAK ndaj Drejtorit të Policisë Skënder Hitajt për përndjekje të paligjshme dhe të pabazuar në ligj ndaj qytetarëve kundërshtarë të establishmentit politik! Ftoj çdo avokat të kontriboj në tekst dhe ftoj çdo qytetar që ditën e Hënë të vijë në SPAK në orën 13:00-13:30 për të formosur kallzimin penal.
Draft Kallzim Penal
DREJTUAR
PROKURORISË SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR (SPAK)
KALLËZIM PENAL
Kallëzues: Av Altin Goxhaj
Kundër: Skënder Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,
për veprën penale të "Shpërdorimit të Detyrës", parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe për çdo vepër tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit.
________________________________________
I. RRETHANAT E FAKTIT
Më datë 9 Korrik 2026, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit deklaroi publikisht se Policia kishte identifikuar mbi 10.000 llogari në rrjetet sociale, shumica të krijuara rishtazi, të cilat sipas tij kishin publikuar revieë negative ndaj bizneseve shqiptare.
Ai deklaroi gjithashtu se:
"Çdo person që do të rezultojë i përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm, pavarësisht vendndodhjes së tij, do të përballet me forcën e ligjit."
Sipas deklaratës zyrtare, Policia kishte:
• identifikuar mijëra llogari;
• analizuar aktivitetin e tyre;
• krahasuar përmbajtjen e publikimeve;
• kryer verifikime mbi përdoruesit;
• ngritur një grup hetimor.
Megjithatë, në asnjë moment nuk u bë publik:
• procedimi penal konkret;
• numri i procedimit penal;
• dispozita konkrete e Kodit Penal mbi të cilën mbështetet hetimi;
• baza ligjore që autorizon identifikimin dhe analizimin masiv të mijëra përdoruesve të rrjeteve sociale.
________________________________________
II. MUNGESA E BAZËS LIGJORE PËR NDËRHYRJEN E POLICISË
Neni 4 i Kodit Penal parashikon:
"Askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është parashikuar shprehimisht me ligj si krim ose kundërvajtje penale. Askush nuk mund të dënohet me një lloj ose masë dënimi të paparashikuar me ligj."
Ky parim nuk kufizohet vetëm në fazën e dënimit penal.
Ai nënkupton se edhe veprimtaria hetimore e organeve shtetërore duhet të mbështetet mbi ekzistencën e një dyshimi të arsyeshëm për kryerjen e një vepre penale konkrete të parashikuar nga ligji.
Në deklaratën publike të Drejtorit të Policisë nuk identifikohet asnjë vepër penale konkrete që justifikon:
• identifikimin masiv të qytetarëve;
• analizimin e aktivitetit të tyre në internet;
• mbledhjen e të dhënave mbi përdoruesit;
• ngritjen e grupit hetimor.
Për rrjedhojë lind dyshimi i arsyeshëm se janë ushtruar kompetenca hetimore pa ekzistuar paraprakisht objekti penal që ligji kërkon.
________________________________________
III. DYSHIME PËR TEJKALIM TË KOMPETENCAVE
Neni 248 i Kodit Penal parashikon:
"Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet."
Ekzistojnë dyshime të arsyeshme se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka autorizuar ose ka bërë publike kryerjen e një veprimtarie identifikuese dhe verifikuese ndaj mijëra qytetarëve pa bërë publik ekzistencën e bazës ligjore që e autorizon një veprim të tillë.
Nëse rezulton se nuk ekzistonte një procedim penal i regjistruar mbi një vepër penale konkrete ose nuk ekzistonte një dyshim i arsyeshëm për kryerjen e një vepre të tillë, atëherë ekziston dyshimi se kompetencat e Policisë janë ushtruar në kundërshtim me ligjin.
________________________________________
IV. DYSHIME PËR MBLEDHJE TË PALIGJSHME TË TË DHËNAVE
Nga deklaratat publike rezulton se Policia ka identifikuar mbi 10.000 llogari dhe ka analizuar mënyrën e veprimit të tyre.
Nuk është bërë publik:
• me çfarë mjeti teknik është realizuar ky identifikim;
• nëse janë kërkuar të dhëna nga platformat digjitale;
• nëse janë përdorur të dhëna nga operatorët e komunikimeve elektronike;
• nëse janë përdorur mjete të inteligjencës së burimeve të hapura (OSINT);
• nëse është marrë autorizimi procedural i nevojshëm, kur një autorizim i tillë kërkohet nga ligji.
Në mungesë të këtyre elementeve lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jenë mbledhur dhe përpunuar të dhëna personale pa një bazë të mjaftueshme ligjore.
Për këtë arsye kërkohet verifikimi i plotë i bazës ligjore mbi të cilën janë ndërmarrë këto veprime.
________________________________________
IV. QËNDRIMI ZYRTAR I VETË INSTITUCIONEVE SHTETËRORE MBI FUSHËN E ZBATIMIT TË NENIT 143/b TË KODIT PENAL
Një element me rëndësi të veçantë për këtë kallëzim është fakti se vetë shteti shqiptar, nëpërmjet Agjencisë së Inteligjencës Financiare (AIF), institucion publik i specializuar në luftën kundër mashtrimeve financiare dhe kompjuterike, ka publikuar një udhëzues zyrtar informues me titull "Mbrojtja nga Mashtrimet Kompjuterike", ku shpjegohet qëllimi dhe fusha e zbatimit të nenit 143/b të Kodit Penal.
Në këtë dokument zyrtar, AIF sqaron se mashtrimi kompjuterik sipas nenit 143/b konsiston në:
"Futja, ndryshimi, fshirja ose heqja e të dhënave kompjuterike apo ndërhyrja në funksionimin e një sistemi kompjuterik, me qëllim për t'i siguruar vetes apo të tretëve, me mashtrim, një përfitim ekonomik të padrejtë apo për t'i shkaktuar një të treti pakësimin e pasurisë."
Më tej, dokumenti zyrtar i AIF rendit konkretisht format kryesore të mashtrimit kompjuterik që konsiderohen objekt i kësaj dispozite penale, si:
• mashtrimi "phishing";
• skemat Ponzi;
• skemat e investimeve me kthime të larta;
• "Pig Butchering";
• "Pump and Dump";
• komprometimi i email-it të biznesit (BEC);
• mashtrimi nëpërmjet imitimit të mediave sociale dhe telekomunikacionit;
• mashtrimet romantike ("romance scam");
• mashtrimet e punësimit.
Në asnjë pjesë të këtij materiali zyrtar nuk përmendet:
• publikimi i revieë-ve negative;
• thirrjet për bojkot ekonomik;
• vlerësimet e koordinuara të bizneseve;
• reputacioni online i subjekteve private;
• apo çdo formë tjetër e ushtrimit të lirisë së shprehjes nëpërmjet publikimit të opinioneve në platformat digjitale.
Ky fakt ka rëndësi të veçantë juridike, sepse tregon se edhe vetë institucionet shtetërore të specializuara, të ngarkuara me parandalimin dhe analizimin e mashtrimeve kompjuterike, nuk e kanë konsideruar kurrë publikimin e revieë-ve apo fushatat e bojkotit ekonomik si pjesë të fushës së zbatimit të nenit 143/b të Kodit Penal.
Për rrjedhojë, deklaratat publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas të cilave qytetarët mund të përballen me përgjegjësi penale në kuadër të "krimeve kompjuterike" për shkak të publikimit të revieë-ve negative, krijojnë dyshime serioze për një interpretim që bie ndesh me mënyrën se si vetë administrata shtetërore e specializuar e ka shpjeguar dhe zbatuar këtë dispozitë.
________________________________________
"Në një shtet të së drejtës, qytetarët kanë të drejtë të mbështeten në interpretimin zyrtar që vetë administrata publike u jep dispozitave penale. Kur një institucion shtetëror i specializuar shpjegon publikisht se neni 143/b ka objekt mashtrimet kompjuterike të natyrës financiare dhe ndërhyrjet në sisteme informatike, ndërsa një autoritet tjetër shtetëror paralajmëron përgjegjësi penale për sjellje që nuk përfshihen në këtë interpretim zyrtar, lind nevoja për të verifikuar nëse është tejkaluar parimi i legalitetit dhe i sigurisë juridike."
V. DYSHIME PËR PËRDORIMIN E HETIMIT PENAL SI MJET PRESIONI NDAJ PROTESTUESVE
Nga deklaratat publike rezulton se kjo veprimtari është iniciuar menjëherë pas një proteste politike, gjatë së cilës janë bërë thirrje publike për bojkot dhe revieë negative ndaj bizneseve të caktuara.
Në këtë kontekst, paralajmërimi publik se mijëra qytetarë do të "përballen me forcën e ligjit", pa bërë publik një referim të qartë ndaj një dispozite penale konkrete, krijon dyshime të arsyeshme se procedurat e identifikimit dhe verifikimit mund të kenë prodhuar një efekt frikësues (chilling effect) ndaj ushtrimit të lirive kushtetuese të protestës dhe të shprehjes.
Kallëzuesi nuk pretendon se kjo përbën fakt të provuar, por kërkon që SPAK të verifikojë nëse procedurat janë përdorur ekskluzivisht për qëllime të ligjshme hetimore apo nëse janë përdorur edhe si instrument presioni ndaj protestuesve.
________________________________________
VI. SHKELJA E KUSHTETUTËS DHE E KONVENTËS EVROPIANE
Neni 17 i Kushtetutës parashikon:
**"1. Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.
2. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.
3. Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut."**
Neni 22 i Kushtetutës parashikon:
**"1. Liria e shprehjes është e garantuar.
2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.
3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.
4. Ligji mund të kërkojë dhënien e autorizimit për funksionimin e stacioneve të radios ose të televizionit."**
Veprimet e mësipërme duhen verifikuar edhe në raport me nenet 7 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat garantojnë respektivisht parimin "nuk ka vepër penale dhe dënim pa ligj" dhe lirinë e shprehjes.
________________________________________
VII. KËRKESAT
Për sa më sipër kërkoj:
1. Regjistrimin e këtij kallëzimi penal.
2. Fillimin e hetimeve për të verifikuar nëse janë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal ose të çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit.
3. Sekuestrimin dhe administrimin të:
o procedimit penal (nëse ekziston);
o urdhrit për fillimin e verifikimeve;
o çdo kallëzimi të paraqitur nga subjektet private;
o çdo akti të Policisë së Shtetit mbi bazën e të cilit janë identifikuar mbi 10.000 llogari;
o çdo kërkese drejtuar platformave digjitale ose subjekteve të tjera për marrjen e të dhënave të përdoruesve.
4. Verifikimin nëse identifikimi dhe analiza e mijëra qytetarëve është kryer mbi bazën e një procedure penale të regjistruar dhe në përputhje me garancitë kushtetuese dhe procedurale.
5. Verifikimin nëse veprimet e Policisë kanë qenë proporcionale, të nevojshme dhe të mbështetura në një bazë të qartë ligjore, apo nëse ato kanë prodhuar një ndërhyrje të pajustifikuar në ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe të së drejtës së protestës.
6. Administrimin si provë të deklaratës publike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe të materialit shpjegues të Agjencisë së Inteligjencës Financiare mbi nenin 143/b të Kodit Penal
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, njoftoi një ditë më parë se deri më tani janë evidentuar rreth 10 mijë llogari të cilat se janë përdorur për të publikuar komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve në sektorin e turizmit.
Hetimi vjen pasi ditët e fundit po qarkullojnë thirrje në rrjetet sociale për bojkot ndaj disa artistëve dhe figurave publike, të cilët janë kritikuar nga nismëtarët e këtyre fushatave për mosmbështetje dhe mospjesëmarrje të protestave të zhvilluara në Tiranë prej më shumë se një muaji. Këto thirrje kanë kaluar edhe në kërkesa për vendosjen e vlerësimeve negative ndaj bizneseve të lidhura me persona të njohur, përmes komenteve në platformat digjitale, me synim ndikimin në reputacionin e tyre online.
Lidhur me këtë fenomen që po dëmton imazhin e vendit sipas kryepolicit, Hita paralajmëroi në fund se çdo përson që rezulton i përfshirë do të përballet me lgjin. /ZËRI
