Aktualitet

Dyshime për tender të favorizuar dhe dëshmi të rreme, SPAK vë nën hetim Kreshnik Tërnovën

Dyshimet e ngritura nga SPAK lidhen me veprimtarinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit në KPP dhe me një procedurë tenderimi ku pretendohet se ka pasur favorizim të një subjekti me të cilin kishte njohje personale. 

zh.ll

 

Dyshime për tender të favorizuar dhe dëshmi të rreme, SPAK
kreshnik ternova-spak

TIRANË- Kreshnik Tërnova, anëtari i Komisionit të Prokurimit Publik, është vënë nën hetim nga SPAK, lidhur hetimet që po zhvillohen për aferën e dyshuar të AKSHI-t dhe manipulimin e tenderave publikë. Sipas burimeve, Tërnova është vënë nën hetim për akuzën e “Dëshmisë së rreme” dhe “Shkeljes së pabarazisë dhe ankandeve publike”.

Dyshimet e ngritura nga SPAK lidhen me veprimtarinë e tij gjatë ushtrimit të funksionit në KPP dhe me një procedurë tenderimi ku pretendohet se ka pasur favorizim të një subjekti me të cilin kishte njohje personale. 

Emri i Tërnovës ka dalë gjatë hetimeve që po zhvillohen për çështjen e dyshuar të manipulimit të tenderave publikë në AKSHI. Në fokus të hetimit është lidhja e dyshuar mes Tërnovës dhe biznesmenit (mikut të tij), të cilit dyshohet se i ka dhënë një tender. 

Në maj të këtij viti, Tërnova u paraqit në SPAK për t'u marrë në pyetje si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Burime bëjnë me dije se gjatë qëndrimit të tij për rreth 2 orë në SPAK, ai ka mohuar njohjen me mikun e tij. Ndërkohë, biznesmeni ka dhënë një tjetër version përpara hetuesve, duke pranuar se mes tij dhe Tërnovës kishte njohje dhe marrëdhënie miqësore. 

Megjithatë, burime shtojnë se lidhja e ngushtë mes Tërnovës dhe biznesmenit është verifikuar edhe përmes të dhënave të administruara nga kontrolli i telefonit të biznesmenit. Pas këtyre zhvillimeve, SPAK ka vendosur të përfshijë Kreshnik Tërnovën në hetim, ndërsa vijon verifikimi i rrethanave dhe i rolit të personave të përfshirë në çështjen e tenderave publikë.

SPAK nisi hetimet për abuzime në rreth 12 procedura tenderimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme.

Lidhur me hetimin ish-drejtoresha e AKSHI-t ndodhet në detyrim paraqitje, ndërsa GJKKO ka pezulluar nga detyra edhe zv/drejtorin e Policisë së Tiranës Erion Ismailaj. Po ashtu dy biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t, vijojnë të jenë në kërkim. SPAK po ashtu ish-nëndrejtorin e AKSHI-t, Daniel Shima për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, sipas dosjes hetimore. Megjithatë, ndaj Shimës nuk është caktuar masë sigurie, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë./ZËRI

Poll

MOS HUMB