PUKË- Situata e zjarreve në Pukë ka marrë përmasa shqetësuese, ndërsa autoritetet lokale kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të fshatit Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan.
Vendimi është marrë për shkak të përhapjes së flakëve dhe rrezikut që paraqet zjarri për banorët dhe banesat e zonës. Procesi i evakuimit po kryhet në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.
View this post on Instagram
Sipas planit të evakuimit, përparësi do t’u jepet fëmijëve, të moshuarve, personave me aftësi të kufizuara, si dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara ose më pranë vatrave të zjarrit.
Banort e larguar nga zona e rrezikut do të sistemohen në konviktin “Ali Bytyçi” në Pukë. Bashkia ka njoftuar se aty janë marë masat për sigurimin e strehimit, ushqimit dhe shërbimit mjekësor.
Transporti i banorëve do të realizohet me mjetet e Bashkisë, MZSh-së dhe Policisë së Shtetit, ndërsa Forcat e Armatosura mund të angazhohen në rast nevoje për mbështetje të mëtejshme.
Urdhri për evakuimin, ështe firmosur nga kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj. Ndërkohë, situata në terren vijon të monitorohet nga strukturat e emergjencës, ndërsa puna për përballimin e zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të banuara vijon.
Zjarri po afrohet drejt zonave të banuara në fshatin Gjegjan dhe Gojan. Forcat zjarrfikëse janë angazhuar në terren për përballimin e situatës dhe për të frenuar përhapjen e flakëve, por për shkak të terrenit të vështirë kërkohet ndërhyrja nga ajri./ZËRI
