Aktualitet

Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”, Prokuroria kërkon 35 vite burg për Vladimir Kolën

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vlerëson se Kola e ka kryer vrasjen me paramendim, pasi ka pasur një konflikt me vëllain e viktimës disa vite më parë.

zh.ll
Vrasja e Briken Sanajt te “Kodra e Diellit”, Prokuroria kërkon
Vladimir Kola dhe Briken Sanaj

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për Vladimir Kolën, i akuzuar për vrasjen e shtetasit Briken Sanaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 te "Kodra e Diellit". Vladimir Kola u ekstradua shtator të 2025 nga Gjermania në Shqipëri, pasi u arrestua atje Gjermani më 16 prill të vitit 2024.

Në përfundim të hetimeve, Prokuroria vlerëson se Kola e ka kryer vrasjen me paramendim, pasi ka pasur një konflikt me vëllain e viktimës disa vite më parë. Gjithashtu, Koka dyshohet se ka ndërmarrë veprime për të shmangur gjurmët, duke kryer hyrje-dalje nga Shqipëria përmes Malit të Zi.

Sipas njoftimit zytar, përveç Kolës, Prokuroria ka kërkuar dënimin e 4 personave të tjerë. 

Konkretisht, kërkohen përkatëisht 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A., pasi dyshohet se kishin dijeni për personin të cilit i kishin shitur automjetin e përdorur në vrasje, por nuk e kallëzonin. Ndërsa për E.H. është kërkuar 5 vite burg, pasi rezulton se ka ndihmuar Kolën gjatë lëvizjeve të tij në Mal të Zi. Ndërsa për shtetasin Z.K. është kërkuar 2 vite burg, pasi dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në ambientet ku Kola kishte drekuar dhe kishte kryer blerjen e automjetit.

Njoftimi i Prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon 35 vite burg për shtetasin V.K., për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet neni 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal me viktimë shtetasin B.S. 

Si dhe dënimin me nga 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal, si dhe dënimin me 5 dhe 2 vite burgim për shtetasit E.H., dhe Z.K., të akuzuar për veprat penale ‘Përkhrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë drejtësinë’ parashikuar nga nenet 302 dhe 301 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal  nr. 7911 të vitit 2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vlerësoi se shtetasi V.K. ka kryer me paramendim për hakmarrje vrasjen e shtetasit B.S., pasi ka pasur një konflikt me vëllain e tij, shtetasin R.S. vite më parë. Ai kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria, duke hyrë e dalë nga Mali i Zi dhe duke blerë mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale. Ky shtetas vite më parë ka pasur konflikt me vëllain e viktimës dhe ai dhe familjarët kanë pasur pretendime për plagosjen e familjarit të tyre. 

Po kështu, në lidhje me këtë hetim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dëmin e tre dhe dy vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. të cilët edhe pse kishin dijeni nuk kallëzuan emrin e personit për të cilin kishin shitur makinën me të cilën u krye vrasja e viktimës, pa kontratë. 

Ndërsa kërkesa për dënimin me pesë vite burg u bë për shtetasin E.H., i cili rezultoi se ka pritur në Malin e Zi shtetasin V.K., si dhe ka bërë përcjelljen e tij po nga ky shtet dhe ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin duke përkrahur autorin e krimit. Së fundmi, për shtetasin Z.K., u kërkuan dy vite burgim pasi ka kryer fshirjen e kamerave të sigurisë kur i pandehuri V.K., kanë drekuar dhe kanë kryer blerjen e mjetit.

Si ndodhi vrasja e Briken Sanajt

Vrasja e Sanajt, ka ndodhur në Tetor të vitit 2022 në Tiranë, ndërsa Kola u ndihmua nga dy persona të tjerë. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur për hakmarrje, pasi vite më parë, viktima, kishte lënë të plagosur vëllanë e Kolës. Roli i Kolës në vrasje, u konfirmua dhe nga kqyrja e kamerave të sigurisë, ndërsa ai dyshohet se pak ditë përpara krimit, hyri ilegalisht në Shqipëri, pasi nuk rezultonte i regjistruar në sistemin TIMS. Kamerat e sigurisë e fiksuan Kolën, në një lokal në Lezhë, ku ka marrë dy shtetas kosovarë, që dyshohet se e ndihmuan në vrasjen e Sanajt.

Ndërkohë disa orë para ekzekutimit të Sanajt, Vladimir Kola, është fiksuar nga një tjetër kamera sigurie te “Rruga e Kosovarëve”, ku ka marrë një taksi dhe ka udhëtuar drejt Lezhës. Natën e krimit, ai ka udhëtuar nga Lezha drejt “Kodrës së Diellit” ku e ka pritur viktimën që të mbërrinte pranë vilës së tij, ku dhe e qëlloi për vdekje atë që e konsideronte si hasmin e tij.

Në të gjitha këto pamje ai shfaqet me të njëjtat rroba, çka sipas hetuesve i shumëkërkuari mbërriti në Shqipëri dhe në kohë rekord organizoi vrasjen e Sanajt mbrëmjen e 30 tetorit dhe më pas u largua jashtë vendit. Motivi i krimit dyshohet të jetë hakmarrja, pasi 10 vite më parë, vëllai i viktimës, kishte plagosur Gentian Kolën. Familjet Kola dhe Sanaj kishin bërë tentativa për t’u pajtuar pas kësaj ngjarje, por nuk kishin mundur të shuanin konfliktin mes tyre./ZËRI

MOS HUMB