Aktualitet

7.5 ton kokainë nga Amerika Latine! Pjesë e grupit të Mir Pepës, ekstradohet nga Greqia Florjan Vuka

Vuka pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme, e cila do të vlerësojë kushtet e masës së sigurisë ndaj tij.

F.I
7.5 ton kokainë nga Amerika Latine! Pjesë e grupit të Mir
Jetmir Pepa

TIRANË- Florjan Vuka alias Vathaj, një prej anëtarëve të grupit kriminal të Jetmir Pepës, të cilët akuzohen për trafikimin e rreth 7.5 ton kokainë është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim SPAK. Vuka pritet të dalë përpara Gjykatës së Posaçme, e cila do të vlerësojë kushtet e masës së sigurisë ndaj tij. Në mungesë ndaj tij është vendosur masa e sigurisë 'arrest me burg'. Përmes shortit elektronik, gjyqtare e çështjes është caktuar Alma Kodraliu.

Pjesë e grupit të trafikut të drogës janë edhe 10 persona të tjerë Aleks Pepaj alias Shkëlqim Pepaj, Jetmir Pepaj alias Jetmir Marashi, Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku alias Anton Tamure, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa (i arrestuar), Anton Kola (i arrestuar) dhe Ilir Lazri. 

Në burg ndodhen vëllai i Jetmir Pepës, Lulzim Pepa, Florian Marku dhe Anton Kola. Hetimet tregojnë se grupi në fjalë ka operuar gjatë viteve 2019–2021, ndërsa janë evidentuar 8 episode të trafikimit të drogës në sasi të mëdha nga Amerika Latine drejt Holandës e Blegjikës.

Sipas hetimeve të SPAK, në disa raste, ngarkesat e drogës janë kapur dhe sekuestruar nga autoritetet europiane, ndërsa në raste të tjera dyshohet se një pjesë e sasisë ka arritur të kalojë. Në disa prej episodeve, kokaina është fshehur në kontejnerë me produkte ushqimore, si fruta të ngrira, peshk dhe banane, për të shmangur kontrollet doganore.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ndërmarrë sekuestrimin e pasurive që lidhen me Jetmir Pepën. Bëhet fjalë për miliona euro pasuri, përfshirë kompaninë “Pepa Group”, një HEC, hotele, apartamente dhe sipërfaqe toke. Kreu i grupit Jetmir Pepaj, i njohur ndryshe si Mir Pepa u arresta në Dubai, ndërsa kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë, i cili mund të realizohet në ditët në vijim.

Emri i tij del edhe në përgjimet e dosjes hetimore të SPAK, ku u goditën grupet e drejtuara nga Eldi Dizdari, Dritan Gjika e Armando Pacanit, me furnitor dhe një rol kryesor të Salvatore Aliu./ZËRI

Poll

MOS HUMB