Aktualitet

E dhunuan dhe e goditën me thikë, dalin para Gjykatës 11 të arrestuarit, roli i tyre në vrasjen e portugezit në 'Principotes'

Policia zbardhi dinamikën e ngjarjes dhe rezultoi se turisti fillimisht u dhunua fizikisht nga kamarierët e lokalit dhe David Gjana klient i lokalit, i shpallur në kërkim si autori i dytë i vrasjes së 20-vjeçarit.

F.I
E dhunuan dhe e goditën me thikë, dalin para Gjykatës 11 të
Sokrat Vata

SARANDË-Në Gjykatën e Sarandës janë paraqitur sot 11 të arrestuarit lidhur me vrasjen e turistit Portugez Luis Miguel Varela Mendes mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil. Të dyshuarit do të njihen me masën e sigurisë. 

Para gjykatës do të dalin 4 kamarierët e Principotes: Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Ildi Cekani, Murat Zhabina; 3 truprojat e lokalit Miosid Matushaj, oficer i Policisë në Gjirokastër, Luçiano Seferi, punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier, Romeo Shehu polic bashkiak në Gjirokastër; Kristi Koshi, dy shteasit turq: Nuh Mahmutoglu, Ezgi Perlak si dhe autori i vrasjes, Sokrat Vata.

20-vjeçari portugez Luis Miguel Varela Mendes u gjet i vrarë mëngjesin e 18 gushtit në shenlonët e plazhit. Gjithçka nisi mbrëmjen e 17 gushtit ku viktima me miqtë e tij iu bashkuan një feste me Dj francezë në clubin e “Principotes”. Fillimisht dyshohet se ka nisur pas një konflikti mes të riut portuges dhe disa personave të tjerë, ku më pas situata ka agravuar në dhunë fizike e deri në përdorimin e thikës. 

Policia zbardhi dinamikën e ngjarjes dhe rezultoi se turisti fillimisht u dhunua fizikisht nga kamarierët e lokalit dhe David Gjana klient i lokalit, i shpallur në kërkim si autori i dytë i vrasjes së 20-vjeçarit. Ky i fundit ka qëlluar me grushte të riun portugez dhe pasi është dhunuar edhe nga pjesëtarët e tjerë të stafit, ka qenë Sokrat Vata nga Hasi që e ka tërhequr të riun duke e nxjerrë jashtë ambienteve të loaklit duke e goditur me thikë.

Ndërkohë efektivët Miosid Matushaj, Romeo Shehu dhe Luçiano Seferi ndodheshin në lokalin “Principote” në momentin e ngjarjes, në rolin e bodyguard-ëve dhe duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit. Truprojat e 'Elite Security Grup' nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar Policinë. Ata akuzohen për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Autori i vrasjes Sokrat Vata, truprojë i 'Principotes', pas ngjarjes u arratis por u kap pas 5 orësh në Levan, i fshehur në bagazhin e një makine, i shoqëruar nga dy shtetasit turq. Dy shtetasit turq kanë deklaruar se ishin klientë të përhershëm në lokalin “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin si bodigard e shoqërues personal. Dy shtetasit turq kanë sqaruar se e kishin marrë Vatën në automjet thjesht për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të.

Ndërkohë vetë Vata ka deklaruar se thika fillimisht ka qenë në duart e turistit portugez dhe se ai ia ka marrë gjatë konfliktit. Sipas tij, ai u kërkuar të rinjve mbanin qetësi por ishte e pamundur dhe ka nisur konflikti. 

Lidhur me ngjarjen në kërkim është shpallur edhe pronari i 'Principotes', Bekim Bulica. Nga hetimet rezulton se ai ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar me qëllim shmangien e hetimit. Policia po vijon kërkimet për kapjen e tij dhe të David Gjanës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e rrethanave të plota të vrasjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB