Aktualitet

Lamallari firmos urdhrin e ri/ Zgjerohet kufiri i moshës, deri në 40 vjeç për t’u bërë policë

Ministri theksoi gjithashtu se ndryshimet synojnë të sjellin prurje të reja dhe profesionistë me eksperiencë në radhët e Policisë së Shtetit.

M.K.
Lamallari firmos urdhrin e ri/ Zgjerohet kufiri i moshës, deri në 40
Besfort Lamallari

TIRANË- Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka firmosur ndryshimin e kritereve të moshës për pranimin në strukturat e Policisë, duke zgjeruar grupin e kandidatëve që mund të aplikojnë. Sipas urdhrit të ri, për kandidatët me arsim të mesëm të lartë që synojnë pozicione zbatuese, përfshirë Patrullën e Përgjithshme, kufiri i moshës shkon deri në 35 vjeç. E njëjta moshë vlen edhe për kandidatët që synojnë ndjekjen e studimeve Bachelor në Akademinë e Sigurisë për t’u integruar më pas në rolin e parë drejtues, me gradën nënkomisar.

Ndërkohë, për profesionistët që kanë përfunduar ciklin e dytë të arsimit të lartë, mundësia zgjerohet edhe më tej. Kandidatët me profile të përshtatshme profesionale, si ekonomi, financë apo teknologji informacioni, mund të pranohen në rolin e parë drejtues deri në moshën 40 vjeç, pas përfundimit të kursit të specializuar për nënkomisar. Një tjeter lehtësi parashikohet për punonjësit që vijnë nga institucione të tjera të sigurisë. Nëse plotësojnë kriteret dhe kalojnë procedurat e përcaktuara të pranimit, ata nuk do t’i nënshtrohen një kufiri moshe.

Ndryshimi i kritereve vjen pas krrkesave të shumta nga qytetarë të interesuar për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit. Sipas ministrit Lamallari, synimi është që në procesin e përzgjedhjes të vlerësohen më shumë arsimi, kualifikimi dhe përvoja profesionale e kandidatëve.

Kjo është një vendimmarrje e drejtë, e cila ofron mundësi të barabarta në raport me angazhimin dhe përvojën e gjithsekujt, pa u penalizuar nga kritere të ngurta të aplikuara njëtrajtshëm për kandidatë me nivele të ndryshme arsimore dhe profesionale, u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi gjithashtu se ndryshimet synojnë të sjellin prurje të reja dhe profesionistë me eksperiencë në radhët e Policisë së Shtetit.

Vokacioni për sigurinë, rifreskimi i organizatës policore dhe fuqizimi i saj mbi përvojat e mëparshme të prurjeve të reja udhëheqin misionin tonë për një Polici më profesionale, më të fortë dhe më pranë qytetarëve, deklaroi ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.

Lamallari firmos urdhrin e ri/ Zgjerohet kufiri i moshës, deri në 40

/ZËRI

Poll

MOS HUMB