KOSOVË- Naim Murseli, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës, ka dalë sot para Gjykatës në Kosovë, ku ka dhënë dëshminë e tij për natën e ngjarjes. Murseli pretendon se nuk ka qenë në makinë, kur Liridona është vrarë, pasi kishte larguar fëmijët prej aty, ndërsa pretendon se gjetjet e prokurorisë janë të pavërteta dhe shpifje.
“Nga ana e majtë e ime, nga therrat aty del një person i maskuar në mes të rrugës duke na drejtuar armën. Unë isha vozitës, Liridona pasagjere e fëmija prapa. Liridona tha “o kuku hajni”, diçka kështu dhe unë e ngadalësoj, e nali makinën dhe i ngrit duart tërë kohën dhe personi i maskuar afrohet te dritarja ku ishte Liridona ulur. Ajo e hap dritaren në gjysmë, apo se di sa dhe unë i kisha paratë në xhep se kuletë nuk mbaj kurrë dhe telefonin e kisha.
Ai e zgjat dorën dhe i merr ato, paratë dhe telefonin ia jep Liridona të vetin dhe paratë që i kishte. Ishin disa qindra euro, jo më shumë. Unë kam mendu që grabitja po bëhet për veturë, sepse siç tha më doli një person përpara, se kam pa që ka qenë me makinë. Kjo është arsyeja pse kam dalë prej veturës dhe kur kam dalë më ka thanë telefonin. E kam zgjat dorën dhe e ka marrë telefonin mbi tavan të kerrit. E kam hapën derën e kerrit të fëmijëve dhe fëmija kanë dalë dhe unë pas tyre.
Tu mendu që unë kur të dal, ai ia lëshon rrugën Liridonës dhe e merr kerrin dhe pas vetëm disa sekondash kam dëgjuar krismën, më janë dukur si dy krisma dhe kam mendu se po gjuan në drejtim tonin. Nuk kam guxuar të kthehem mbrapa por kam vazhduar me fëmijët, pas disa sekondash e kthej kokën dhe e shoh se nuk është Liridona askund.
Në atë moment vjen ajo vetura e zezë në drejtim të fëmijëve dhe timin. Ishte shumë afër me na goditë, nuk e di pse dhe në atë moment e ka kthyer timonin dhe ka vazhduar. Edhe atëherë ishte i maskuar. Unë në aktakuzë akuzohem që e kam mbajtë me dorë gruan time në momentin e fundit të jetës. Unë ju betohem në dy fëmijët që Naim Murseli as në makinë nuk ka qenë kur është vra Liridona, as unë dhe fëmijët. Ajo që e thotë prokurorja është shpifje”, tha Murseli në Gjykatë.
Teksa vlerëson figurën e saj, Naim Murseli thotë se ajo ka qenë një grua dhe nënë e mrekullueshme.
“Kemi pasë 11 vite martesë me Liridonën, si rezultat kemi dy fëmijë dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mire. Ka qenë një grua e mrekulleshme, nënë e përkushtuar dhe shumë e devotshme. Liridona kishte shumë dëshirë të bëhet nënë dhe kishte probleme me mbetë shtatzënë, por më pas na u realizua ëndrra ajo u bë nënë dhe unë u bëra babë. Çdo gjë ka qenë në rregull mes neve”, tha Murseli në Gjykatë
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia i arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjere, mes të cilëve ekzekutorin Granit Pllava. Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij nënë e dy fëmijëve dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro. /ZËRI



