Bota

Gjyqi për vrasjen e Liridonës/ 'A të është ankuar motra?', Naim Murseli i bën disa pyetje vëllait të viktimës

Vëllai i viktimës zbuloi një episod të pazbuluar më parë në martesën e çiftit që deri më tani nuk ishte bërë i ditur për mediat. 

k.m.
Gjyqi për vrasjen e Liridonës/ 'A të është ankuar
Gjyqi ndaj Naim Murselit

PRISHTINË- Vazhdon gjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt. Sot, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjatë gjykimit ndaj Naim Murselit, dëshmoi vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj. Por ndryshe nga herët e tjera, Naim Murseli është përballur me dëshmitarët, përfshirë kunatin e tij, Leonardin. Një moment i pazakontë ndodhi kur Naimi, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, iu drejtua vetë Leonardit me pyetjen: E kam një pyetje për Leonardin. Për 13 vjet martesë, a është ankuar ndonjëherë motra jote për mua apo për raportin tonë?

Përgjigjia që mori ishte mohuese. Por zbuloi një episod të pazbuluar më parë në martesën e çiftit që deri më tani nuk ishte bërë i ditur për mediat. 

“Jo, nuk është ankuar… përveçse disa muaj para se të ndodhte ngjarja. Ishte prekur shumë nga një aferë tradhtie e Naimit me një të afërm. Por ajo vetë e kishte zgjidhur dhe ne nuk e kemi kundërshtuar,”-tha vëllai i viktimës, i cili u pyet sërish nga personi që akuzohet për ekzekutimin e të motrës. Në pyetjen e radhës, Naim Murseli iu referua dy motiveve të përmendura në aktakuzë dhe e pyeti Ademajn se cilin e beson si më të mundshëm.

“Në aktakuzë prokurorja përmend dy motive: njëra që ka të bëjë me financa dhe kinse me sigurim jetësor – që nuk dihet asgjë për atë sigurim jetësor se si janë kushtet. Motivi tjetër që thuhet është kinse Liridona më ka tradhtuar. Cilin motiv e beson Leonard Ademaj?,”- pyeti Murseli.

Në këtë pikë, Ademaj u përgjigj duke i kujtuar dhe bisedat që Murseli ka bërë me familjarët e bashkëshortes së tij lidhur me siguracionin e jetës që i kishte bërë.

“Motivin kinse Liridona të ka tradhtuar e ke thënë ti vetë, nuk e ka thënë ajo. Për sigurimin, ti e di më mirë, se ia ke bërë asaj, jo vetes. Po ashtu e di mirë kur i ke thënë babit në shtëpi që ‘ja kam bë një sigurim Liridonës se nëse e gjen diçka, përfitojmë shumë dhe fëmijët sigurohen’. Përveç versionit të tradhtisë, të dy versioneve të tjera u besoj plotësisht,”-u përgjigj vëllai i viktimës.

Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit. Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej. Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister. Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit./ZËRI

Poll

MOS HUMB