
KOSOVË-Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj katër të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuar në këtë rast janë bashkëshorti i viktimës, Naim Murseli, dhe tre të tjerë, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tom Dodaj.
“Jam plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Naim Murseli, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt, në seancën e sotme gjyqësore.
Sipas akt-akuzës, arsyeja pse Murseli kërkoi ekzekutimin e Ademajt është për shkak të xhelozisë së bashkëshortes dhe presioni që ajo i ushtronte. Ndërsa, i akuzuari tjetër, Granit Plava ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të personit që do të ekzekutonte, pasi iu është thënë se ishte një biznesmene serbe.
Ndërsa i pandehuri i katërt, Tom Dodaj, që ngarkohet me veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” ka pranuar fajësinë. Tom Dodaj i kishte shitur për 280 euro Naim Murselit armën me të cilën Granit Plava ka kryer vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Dodaj është dënuar me 5 vite burg.
Sipas aktakuzës Naim Murseli, ish-bashkëshorti i Ademajt, akuzohet se ka përgatitur planin për ta vrarë Liridonën më 29 nëntor të vitit 2023. Granit Plava akuzohet si atentator, ndërsa Kushtrimi Kokalla, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë (FSK), akuzohet se ka dhënë ndihmë në kryerjen e veprës penale.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, sipas dosjes, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje. Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.
Liridona Murseli, 30 vjeçe, u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë, disa kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Rasti fillimisht u raportua si vrasje gjatë përpjekjes për grabitje, por, vetëm dy ditë më vonë, policia i arrestoi bashkëshortin e saj Naim Murseli dhe dy të dyshuarit e tjerë G.P, dhe K.K. Ata janë mbajtur në paraburgim për dhjetorit të kaluar, në pritje të gjykimit. Motivet për vrasjen e saj nuk janë ende të qarta, por policia dyshon se Naim Murseli e porositi vrasjen e gruas së tij nënë e dy fëmijëve dhe se dorasit i premtoi 30.000 euro./ZËRI