FIER- Sherri në burgun e Fierit, ku mbetën të plagosur Denis Bajri, Jurgen Zoto dhe Aldo Gjini, vijon të mbetet pa një motiv të qartë. Ndërkohë, hetuesit po verifikojnë nëse pas sulmit fshihet një konflikt i porositur apo një përplasje e çastit.
Aldo Gjini njihet si anëtar i grupit të Rrajave me bazë në Fushë-Krujë, ndërsa Denis Bajri është personazh i njohur për lidhjet me grupet kriminale në Shkodër.
Siç është raportuar më herët, 3 të paraburgosurit njiheshin si shokë dhe lishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin. Megjithatë, hetuesit kanë përjashtuar pistën e një konflikti të çastit dhe po hetojnë dyshimet se plagosja e Denis Bajrit mund të ketë qenë një mesazh i dërguar nga grupe rivale, përfshirë edhe grupin e Ibrahim Licit.
Sipas dëshmisë së dhënë nga Denis Bajri, Jurgen Zoto dhe Aldo Gjini e kanë thirrur dhe më pas e kanë sulmuar me mjete prerëse të improvizuara. Nga dëshmia e tij, grupi hetimor ka rindërtuar edhe dinamikën e ngjarjes. Në momentin e sulmit, sipas burimeve, Gjini dhe Zoto i janë afruar Bajrit me një telefon në dorë dhe i kanë thënë: “Këtë mesazh e ke nga filani”.
Sipas burimeve, referuar dëshmisë së Bajrit, ai pretendon se është sulmuar me porosi të Ibrahim Licit: “Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Ai erdhi ne qelinë time bashkë me Jurgen Zoton. Ky i fundit më dha një telefon. Në linjë ishte Ibrahim Lici. Ai më tha jeta jote kaq e pat!. Në atë moment Zoto tentoi të më sulmonte me thikë”.
Më pas, dy të paraburgosurit e kanë sulmuar me thikë artizanale.
Pas incidentit, të shtunën 8 gusht, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, ka kërkuar pezullimin nga detyra të 8 efektivëve të burgut të Fierit. Pasditen e djeshme është mbledhur Komisioni i Disiplinës, ndërsa drejtori ka firmosur urdhrin për pezullimin e efektivëve, disa prej të cilëve akuzohen për mosdhënie informacioni, ndërsa të tjerët për mospërmbushje të detyrave.
Bajri dhe Zoto përfunduan në spital pasi të dy mbetën të plagosur gjatë konfliktit, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa Aldo Gjini është futur në izolim pas sherrit. Ndërkohë, thika e përdorur në konflikt dhe telefoni që dyshohet se është përdorur gjatë përplasjes, do t’i dërgohen BKH-së për ekspertizë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sa i përket masave ndaj të paraburgosurve, Aldo Gjini është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, ndërsa Jurgen Zotaj, i cili ndodhej në Spitalin e Fierit, është dërguar në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në institucionin e Fierit ka mbetur Denis Bajri.
Kush janë 3 të paraburgosurit e përfshirë në sherr?
Jurgen Zoto ndodhet në burg për veprat penale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.
Denis Bajri u arrestua në Emiratet e Bashkuara më 27 shkurt 2024. Në momentin e ndalimit nga efektivët, 37-vjeçari u prezantua me mbiemrin e dytë, Denis Brajoviç. Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e zbardhura të aplikacionit "SkyECC", si pjesë e grupit Bajri në Shkodër. Bazuar në bisedat e grumbulluara nga kodi "B045ZY" në aplikacion, kanal që dyshohet se përdorej edhe nga Bajroviç, 37-vjeçari akuzohet për vrasjen e Gjin Ndoj Boriçit në Shkodër, më 9 Gusht të 2020-ës në Shkodër. Nga komunikimet e zbërthyera në aplikacionin Sky ECC, rezultoi se urdhërues i eliminimit të Gjin Ndoj ishte Behar Bajri, ndërsa ekzekutor Denis Brajoviq.
Aldo Gjini, i njohur si "Bjondi", akuzohet për trafikun e 2.4 ton marijuane e kokainë drejt vendeve të Evropës, në kuadër të grupit të organizuar kriminal, konkretisht pjesë e grupit të Rrajave. Bjondi" është një prej personave të ndaluar në operacionin e fundit të SPAK kundër grupit të strukturuar kriminal “Rraja”, ku ai u informua për masën e arrestit brenda qelisë. Por, emri i tij është i njohur edhe më herët nga autoritetet për shkak të të shkuarës kriminale, trafikim armësh, droge dhe tentative për vrasje, si dhe i shpallur në kërkim nga INTERPOL./ZËRI
