FIER- Një sherr mes disa të burgosurve është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Fier, ku dy prej tyre kanë mbetur të plagosur.
Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se dy të burgosurit e konfliktuar janë Jurgen Zoto, Denis Bajroviç dhe Aldo Gjini. Këta dy të fundit, janë personazhe të njohur të botës së krimit dhe të akuzuar nga SPAK për pjesëmarrje në grupe kriminale
Po sipas burime, konflikti ka nisur nga Jurgen Zoto, i cili dyshohet se ka goditur fillimisht Denis Bajroviçin, i njohur edhe me mbiemrin Bajri.
Përplasja ka ndodhur në dhomën e ajrimit të institucionit, ndërsa sipas të dhënave paraprake, të burgosurit dyshohet se janë goditur me mjete të improvizuara, përfshirë brisqe rroje.
Megjithatë, motivet e sherrit mbeten të paqarta, pasi burime bëjnë me dije se të 3 të burgosurit kishin marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin dhe konsideroheshin shokë brenda ambientit të vuajtjes së dënimit.
Forcat e sigurisë së burgut kanë ndërhyrë menjëherë për të ndalur konfliktin dhe për të rikthyer situatën nën kontroll. Pas sherrit, dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Ndërsa, Aldo Gjini, pjesë e grupit të Rrajave, menjëherë pas sherrit është futur në izolim.
Dinamika e plotë e përplasjes pritet të zbardhet pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Gjithashtu, pritet një reagim zyrtar nga drejtoria e institucionit për rrethanat e ngjarjes dhe masat e marra pas incidentit./ZËRI