FUSHË ARRËZ- Banorët e Fushë-Arrëzit u ngritën të premten në protestë për të kundërshtuar hartën e re territoriale të propozuar nga Partia Socialiste. Ata kundërshtojnë propozimin për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Bashkinë Pukë.
Në protestë për të mbështetur qytetarët dolën edhe bashkëkryetari opozitar i Komisionit të Reformës Territoriale, Luçiano Boçi, deputeti Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku demokrat i Fushë-Arrëzit, Hil Curri. Ky i fundit deklaroi se nuk do ta lejojnë shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz, duke theksuar se do ta mbrojnë atë me çdo kusht.
“Për komunitetin e Bashkisë Fushë-Arrëz është i padëshirueshëm Mazniku. Në atë kohë që është mbrojtur kjo zonë, nuk ka pasur shtet dhe s’ka pasur as parti fare. Qytetarët e kësaj bashkie, burrat e gratë, sot më shumë se kurrë janë provokuar. U bëj thirrje deputetëve që të mos e marrin nëpër këmbë dinjitetin e Bashkisë Fushë-Arrëz. Nuk do të shkrihet. Do ta mbrojmë me çdo çmim. Nuk është bërë asnjë dëgjesë publike në Fushë-Arrëz. Nuk mund të bëjë çfarë të dojë shteti me ne”, tha Curri.
Në protestë morën pjesë gjithashtu edhe kryebashkiaku i Mirditës, Albert Mëlyshi, kryebashkiaku i Pukës, Rrok Dodaj. Po ashtu edhe ish-kandidati i PS-së për deputet në këtë zonë, Pavlin Luli.
Banorët mblodhën firma për një peticion kundër draftit të ri territorial, ndërsa paralajmëruan se kundërshtimi ndaj bashkimit me Pukën do të vijojë edhe me protesta të tjera në ditët në vijim.
Sipas draftit të PS-së, Bashkia Fushë-Arrëz, me afro 4 878 banorë do të bashkohet me Bashkinë Pukë, e cila, sipas Censusit, numëron 6 222 banorë./ZËRI