TIRANË- Qytetarët janë mbledhur edhe këtë të diel në protestë, duke shënuar ditën e 71-të të tubimeve që nisën më 31 maj, pas incidenteve të ndodhura në Zvërnec.
Si zakonisht, protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë.
Protestuesit do të ndalen përpara Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin dhe do të mbahen fjalime nga qytetarë të ndryshëm që i janë bashkuar kësaj proteste.
Protesta vijon nën të njëjtën kërkesë të përbashkët të qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestat e zhvilluara gjatë këtyre 71 ditëve.
Pesë kërkesat që kanë parashtruar qytetarët:
1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.
2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.
3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera: ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4. Paralelisht kërkohet anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
5. Kërkohet një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës./ZËRI