
TIRANË-Kohët e fundit “Raiffeisen bank" ka qenë në qendër të vëmendjes mes skandaleve e gjyqeve për abuzime me kreditë. E gjendur para denoncimeve të bëra nga qytetarët për falsifikim dokumentash, duke i përfshirë në kredi që nuk janë marrë kurrë nga vetë ata, apo duke rënë pre e vjedhjes nga punonjësit e bankës, “Raiffeisen" duket se ka gjetur zgjidhjen për rregullimin e imazhit.
"Raiffeisen Bank" ofrohet të jetë pranë familjeve të reja, duke hapur aplikimet për Kredinë e Butë për banesë në Tiranë. Nisma ka si synim të ndihmojë familjet e reja dhe individët e pastrehë të përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës për të blerë banesën e parë.
"Raiffeisen Bank" njofton se aplikimet do të jenë të hapura deri në 31 gusht të vitit 2025. Për kredinë e butë njoftohet se norma e interesit do të jetë 3% dhe mbetet e pandryshuar për të gjithë afatin e kredisë me 0 komision administrimi me afat deri 30 vite. Ndër të tjera banka siguron këste të pandryshuara dhe financim deri në 85% të vlerës së banesës deri në 100% sipas kushteve.
Vetëm dy ditë para kësaj nisme, një rast falsifikimi dokumentesh është konstatuar nga institucionet shtetërore pas denoncimeve të bëra nga qytetarët ndaj “Raiffeisen Bank”. Banka i kërkon qytetarit mbi 8 milionë lekë të marra nga ortaku. Konkretisht kredia ishte marrë nga një person tjetër ortak në biznes me qytetarin denoncues, i cili nuk kishte shlyer detyrimet ndaj bankës e cila, në vend që t'ja kërkojë paratë kredimarrësit të vërtetë, tentoi të përfitojë padrejtësisht nga çifti. Falsifikimi i firmave të qytetarëve rezultoi se ishte kryer nga noteri i cili ka punuar me Raiffeisen Bank në këtë rast për hartimin e kontratave të kedive.
Në një rast tjetër dhjetë klientë të "Raiffeisen Bank" kanë dalë "me humbje", pasi u janë marrë para nga llogaritë e tyre bankare. Çështja përfundoi në gjyq ku e paditur është marrë punonjësja e bankës, e identifikuar me inicialet M.E. Kjo e fundit ka punuar për plot 9 vjet në "Raiffeisen Bank", nga viti 2004 deri në vitin 2013. Por pas zbulimit, është shkarkuar nga detyra. Punonjësja në fjalë ka shfrytëzuar aksesin që i jepte detyra që kishte brenda bankës për të hyrë në llogaritë e klientëve dhe në sistemin e bankës.
Edhe në një tjetër rast një qytetare ka fituar të drejtën e saj në Gjykatë kundër bankës "Raiffeisen Bank Albania". Qytetarja paditi bankën për faktin se ishte pranuar si bashkëkredimarrëse në një kredi të kërkuar nga ish-bashkëshorti i saj. Teksa qytetarja kërkonte që të hiqte emrin nga kredia, kjo dosje "shitet" tek një nga institucionet që merrej me kreditë e këqija.
Ndodhur përpara këtyre rasteve, sa besim kanë familjet shqiptare për të aplikuar për kredi në bankën "Raiffeisen Bank"?/ZËRI