
FIER-Pas pamjeve të rënda të shpërndara në rrjet, ku një grup vajzash keqtrajtojnë një bashkëmoshataren e tyre, një hetim ka nisur pë adoleshentet nga Policia e Fierit. Pamjet tronditëse tregonin momentin kur vajzat dhunojnë adoleshenten, duke e kapur për flokësh dhe qëlluar me pëllëmbë. Në imazhet e publikuara ato e detyrojnë bashkëmoshataren e tyre që t’u thotë fjalë ofenduese, madje dhe t’i kërkojë falje. Në lidhje me rastin një hetim ka nisur për 4 adoleshentet e moshës 16 dhe 17 vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur një tjetër.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen disa shtetase të mitura duke dhunuar një bashkëmoshatare, bëjmë me dije se:
Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë nisur punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video dhe për verifikimin e rrethanave të rastit.
Janë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat, shtetaset që shfaqen në video, të cilat janë pyetur në prani të punonjëses sociale, psikologut, avokatit dhe prindërve.
Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 4 shtetase (3 të moshës 16 vjeç dhe 1 e moshës 17 vjeç), si edhe u shpall në kërkim një tjetër shtetase 16 vjeçe që shfaqet në video.