TIRANË- Një qytetare ka fituar të drejtën e saj në Gjykatë kundër bankës "Raiffeisen Bank Albania". Historia e zonjës, e cila identifikohet me inicialet "F.V.", nis si e shumë të tjerëve që kanë rënë pre e kredive të këqija dhe institucioneve që i japin këto para. Por si nisi e gjitha? "Lajmifundit", ka "zbërthyer" të gjithë historinë, që nis që në 11 shkurt të vitit 2009. Këtë datë është lidhur një kontratë për kredi me vlerën 550.00 lekë, mes “Raiffeisen Bank” dhe personit F. B. Si bashkëkredimarrëse është konsideruar edhe "F.B (V)". Por në fakt, kjo e fundit, nuk ka pasur asnjë lidhje me kërkesën, pasi ishte divorcuar nga bashkëshorti i saj. Për më tepër, ajo pretendonte se nuk kishte firmosur kurrë për të marrë kredinë.
Kështu që padit bankën për faktin se ishte pranuar si bashkëkredimarrëse në një kredi të kërkuar nga ish-bashkëshorti i saj, edhe pse me këtë të fundit kishte dhe një vendim të Gjykatës që provonte ndarjen e çiftit një vit para se kjo kredi të merrej. Teksa qytetarja kërkonte që të hiqte emrin nga kredia, kjo dosje "shitet" tek një nga institucionet që merrej me kreditë e këqija.
Konkretisht, më datë 27.06.2013, kredia nga shoqëria “Raiffeisen Bank” SHA kalon tek “Tranzit” SHPK. Me të marrë autorizimin për menaxhimin e kredisë nga banka, shoqëria “Tranzit” nis me procedurat për të mbledhur paratë. Çështja përfundoi në Gjykatën e Vlorës, ku qytetarja e fitoi pjesërisht çështjen në Gjykatën e Vlorës. Por pasojat për një kredi që nuk e kishte marrë kurrë, po i rëndonin çdo ditë e më shumë.
"Shoqëria “Tranzit” SHPK pasi ka marrë dosjen e kredisë nga Raiffeisen Bank, ka vënë në lëvizje shoqërinë përmbarimore “AA Bailiff” SHPK për ekzekutimin e titullit ekzekutiv, duke i mbajtur paditëses F. V pagën që kjo e fundit merrte pranë shoqërisë “.... Bank” SHA, për disa muaj, në shumën e përgjithshme 82,726 lekë, kjo e provuar me anë të shkresës së shoqërisë “....Bank” SHA për lëvizjet e llogarisë bankare të paditëses F. V.,"-shkruhet në artikull.
Nga llogaria e saj, u morën 820 mijë lekë të vjetra. Paratë i kaluan të shoqërisë përmbarimore “AA Bailiff”. Duke qenë se iu mbajtën paratë nga llogaria bankare ku i derdhej para, qytetarja kërkoi nga Gjykatës nxjerrjen e urdhërit për të detyruar palën e paditur Raiffeisen Bank që t'i kthente shumën e marrë. Në gjyq, banka ka pretenduar se përfshirja e paditëses në kredinë e marrë nga ish-burri i saj ishte bërë në mënyrë të parregullt, porjustifikohej me faktin se e gjitha ishte bërë me "mirëbesim".
Duke qënë se Gjykata e Vlorës e rrëzoi padinë, zonja në fjalë bëri ankimim në Gjykatën e Apelit. Pikërisht në Apel, iu dha e drejtë zonjës që bëri edhe njëherë padi.
"Shoqëria “Raiffeisen Bank” SHA pretendon se nuk ka “përgjegjësi” që kredimarrësi F. B paraqiti para saj dokumente të falsifikuara, në emër të F V (B), duke e bërë këtë të fundit bashkëkredimarrëse në kontratën e kredisë bankare të datës 11.02.2009. Banka pretendon se nuk ka përgjegjësi as për njoftimet që i dërgonte paditëses F. Vi, 4 vjet pasi kjo kishte zgjidhur martesën dhe ishte larguar nga banesa e kredimarrësit F. B. tek adresa e këtij të fundit. Në këto kushte lind pyetja, i kujt është faji? I paditëses që nuk kishte dijeni fare për kontratën e kredisë bankare?,"-thuhet në vendimin e Apelit.
Mbi ankimin e bërë nga qytetarja e dëmtuar, Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin nr. 112, datë 01.04.2021, ka vendosur: “Prishjen e vendimit gjyqësor nr. 1076, datë 25.06.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe dërgimin e akteve për rigjykim pranë asaj gjykate, por me tjetër trup gjykues.”
Por këtë vendim nuk e ka pranuar "Raiffeisen Bank", që ka bërë më pas rekurs në Gjykatën e Lartë. Por çështja nuk u pranua.
Me vendim të formës së prerë dhe përfundimtar, Gjykatat i kanë dhënë të drejtë qytetares, duke “dënuar” bankën Raiffeisen me detyrimin për t'i kthyer të dëmtuarës shumën prej 100,000 lekësh, të përfituara padrejtësisht prej saj.
Teksa çëshje të shumta janë ndjekur në Gjykata e rretheve, aktualisht SPAK ka disa hetime paralele lidhur me çështjen e kredive të këqija që janë shitur nga bandat tek institucionet financiare si psh "Tranzit". Nën hetim është edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë. Hetimin për guvernatorin Sejko dhe bashkëpunëtorët e tij në Bankën e Shqipërisë po e ndjek prokurorja Dorina Bejko, e cila ka marrë përsipër kallëzimin e bërë nga Dhoma e Përmbaruesëve. Sipas të njëjtave burime, hetimet janë drejt fundit dhe shumë shpejt pritet që të dorëzohen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përveç kësaj çështjeje, një tjetër hetim po zhvillohet nga hetuesi Edvin Kondili lidhur me kallëzimin që ka bërë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja kundër “MCA” të Olsi Ibros dhe “Final” të Arben Meskutit. Po në vitin 2024, njëjtë si dy çështjet e tjera, është depozituar dhe një dosje e tretë. Hetimi i nisur për një rast mashtrimi me kredi dyshohet se ka zbuluar lidhje të drejtorëve kryesorë të Bankës së Shqipërisë, Deniz Deralla dhe Altin Naqe me skemën e mikrokredive. Se ku qëndron kjo lidhje, priten ta zbulojnë hetimet.
Megjithatë nuk dihet nëse të gjitha këto raste do të përmblidhen në një dosje të vetme, apo do të hetohen veçmas dhe të palidhura me njëra-tjetrën. Më shumë do të mësojmë kur SPAK të ndërmarrë veprime për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që mashtruan më shumë se 100 mijë shqiptarë që kanë rënë pre e skemës "piramidale". Mbi shoqëritë rëndon vepra penale e "mashtrimit me pasoja të rënda dhe kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim” dhe për "pastrim të produkteve të veprës penale"./ZËRI