Politikë

Deklarata e ministres serbe për Kosovën/ Berisha: Rama heshti, vasal i Vuçiç

Kreu i opozitës e ka quajtur kryeministrin një “vasal të Vuçiç”, duke e akuzuar se po mbron interesat e presidentit serb në dëm të interesave kombëtare.

l.k
Deklarata e ministres serbe për Kosovën/ Berisha: Rama heshti, vasal i
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarët ka hedhur akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama për qëndrimin që ka mbajtur pas deklaratave të ministres serbe, Snezhana Paunoviç për Kosovën.

Ai e ka quajtur të papranueshme që Tirana zyrtare nuk ka mbajtur asnjë qëndrim, ndërkohë që deklarata e Paunoviç ka shkaktuar një reagim të fortë ndërkombëtar. Kreu i opozitës e ka quajtur kryeministrin një “vasal të Vuçiç”, duke e akuzuar se po mbron interesat e presidentit serb në dëm të interesave kombëtare.

"Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.

Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.

Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata. Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.

Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç'janë këta, ç'përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke. Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda. Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre.", u shpreh Berisha.

Cila ishte deklarata e ministres serbe?

Gjatë një interviste për median serbe Kurir, ministrja serbe është shprehur se nëse do të kishte pasur të njëjtën liri veprimi si ish-presidenti serb Slobodan Millosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

“Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviqi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”, deklaroi ministrja serbe gjatë një nterviste.

Deklarata e saj shkaktoi polemika të forta e të ashpra, pasi i referohet drejtpërdrejt konceptit të “spastrimit etnik”, që lidhet me krime të rënda gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi dhe luftës në Kosovë. BE dënoi deklartaën duke kërkuar vetëpërmbajtje. Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, po ashtu u shpreh e tronditur ndaj kësaj deklarate, duke e cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian./ZËRI

Poll

MOS HUMB