
VLORË- Një përplasje e dhunshme ka ndodhur në Radhimë për shfrytëzimin e një hapësire për plazh. Pronarja e një subjekti turistik është dhunuar fizikisht për shkak të një konflikti pronësie. Në një denoncim që kanë bërë për "JOQ", pronarët e subjektit “Baro Beach”, i lidhur me “Hotel Dion”, janë sulmuar nga fqinjët e tyre në zonën e Radhimës. Kjo sepse edhe ata pretendojnë të njëjtën hapësirë plazhi, edhe pse “Baro Beach” ka një kontratë 5-vjeçare që nga viti 2021.
Sipas denoncimit, përfaqësuesit e "Baro Beach" pretendojnë se konflikti ka eskaluar në përplasje fizike me sende të fortë, ku përmendin se janë dhunuar nga Adjon Hanxhari, i lidhur me subjektin “Oricon Coast”.
“Ne jemi një biznes që operon në Radhimë, me leje të rregullt për përdorimin e hapësirës së plazhit për një periudhë prej pesë vitesh, që nga viti 2021. Fqinji ynë pretendon se kjo hapësirë i përket atij, vetëm sepse është ‘i fortë’. Sot, ai na tregoi ‘forcën’ duke dërguar truprojat e tij për të na dhunuar fizikisht. Personi në fjalë është Adjon Hanxhari, i cili pretendon përmes biznesit të tij ‘Oricon Coast’ se hapësira i takon atij. Në fakt, është ai që ka ushtruar dhunë ndaj nesh. Ne jemi ‘Baro Beach’ dhe jemi të lidhur familjarisht me ‘Hotel Dion’. Për më tepër, struktura jonë figuron qartë në Google Maps që prej vitit 2010, kohë kur zoti Adjon Hanxhari nuk kishte asnjë prani në atë zonë. Se dy nga ne perfunduan ne urgjence, edhe djali (me nenshtetesi italiane) mori shume goditje,”-ka bërë me dije denoncuesi.
Për të provuar se kanë një kontratë, kanë bërë publik edhe dokumentin e nënshkruar më 3 gusht 2021 me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit dhe Bashkinë Vlorë. Dokumenti u firmos nga zonja Floresha Mukaj në emër të subjektit qiramarrës. Në kontratë përcaktohet qartë se hapësira prej 200 m2 në parcelën VL-291. Në mbështetje të pretendimeve të tyre, përfaqësuesit e “Baro Beach” thonë ndërtesa dhe struktura e tyre figurojnë në Google Maps që nga viti 2010, kohë kur “Oricon Coast” nuk ekzistonte në atë zonë.
KONTRATA PËR PËRDORIMIN E HAPËSIRËS SË PLAZHIT KONTRATË QIRAJE:
Sot, më datë 03.08 2021. në Tiranë, nënshkruhet një kontratë qiraje ndërmjet palëve, si më poshtë:
Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), përfaqësuar nga z. Ledion Lake, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë dhe subjektit, znj. Floresha Mukaj, person fizik.
A) Qiramarrësi operon një strukturë shërbimi të ndodhin në zonën e Radhimës me një kapacitet prej 20 tavolinash
B) Mbështetur në vendimin nr. 171, datë 27.03.2019, të Këshillit të Ministrave, "për miratimin e kushteve dhe kritereve për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, qiramarrësi ka depozituar pranë qiradhënësit, aplikimin për marrjen në përdorim të hapësirës së plazhit prej 200 m², të ndodhur në avinën e Radhimës në parcelën VL-291.
Por edhe pse denoncimi është bërë publik, ende nuk ka një reagim nga pala tjetër për të sqaruar anën e tyre të ngjarjes. E teksa ngjarja është bërë publike, për rastin ende nuk ka pasur as një sqarim nga blutë e Vlorës./ZËRI