Aktualitet

"Luks kontrabandë" në Tiranë: Policia "mësyn" në 8 subjekte, procedohen 9 administratorët, nuk deklaronin të ardhura (VIDEO)

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve në këto subjekte janë sekuestruar 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, si dhe 11 çanta e veshje të markave luksoze, për të cilat dyshohet se mungonte dokumentacioni shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin e tyre.

zh.ll
"Luks kontrabandë" në Tiranë: Policia
mallrat ne subjekte

TIRANË- Tetë subjekte tregtare ku shiteshin pajisje elektronike, si dhe veshje e aksesorë të markave luksoze, të dyshuara si mallra kontrabandë, janë konstatuar gjatë një operacioni të Policisë.

Blutë e Tiranës bëjnë me dije se si rezultat i kontrolleve, janë proceduar penalisht 9 administratorë dhe përfaqësues të këtyre subjekteve, pasi dyshohet se nuk deklaronin të ardhurat nga aktiviteti i tyre.

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kontrolleve në këto subjekte janë sekuestruar 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, si dhe 11 çanta e veshje të markave luksoze, për të cilat dyshohet se mungonte dokumentacioni shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin e tyre.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Illegal trade”.

Konstatohen 8 subjekte ku shiteshin pajisje, si dhe veshje dhe aksesorë të markave luksoze, të dyshuara të kontrabanduara.

Procedohen penalisht 9 administratorë/përfaqësues të subjekteve, të cilët nuk deklaronin të ardhurat.

Sekuestrohen pajisje elektronike dhe produkte të markave luksoze.

Si rezultat i verifikimeve të vazhdueshme dhe hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me qëllim goditjen e paligjshmërive në këtë fushë, u finalizua në bashkëpunim me Prokurorinë, operacioni i koduar “Illegal trade”, në kuadër të të cilit, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u kryen kontrolle në 8 subjekte me aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve të markave luksoze.

Nga kontrollet në këto subjekte u sekuestruan: 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, 11 çanta dhe veshje të markave luksoze, pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin. Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se të ardhurat nga shitjet e tyre nuk deklaroheshin në organet tatimore, dhe se në njërin subjekt, shiteshin produkte, pa kuponë. Për këtë të fundit u mor masa e pezullimit të ushtrimit të aktivitetit.

Në përfundim të veprimeve proceduriale nisi procedimi penal për shtetasit Gj. H., N. R., S. S., A. D., B. D., A. L., A. L., K. Gj. dhe J. B., administratorë ose përfaqësues të subjekteve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB