KORÇË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 4 të qytetit të Korçës, ku një konflikt i çastit brenda familjes ka përfunduar me plagosjen e një 18-vjeçari nga njerku i tij.
Sipas burimeve, 37-vjeçari Niko Baka ndodhej në banesën e bashkëjetueses së tij, ku ishte organizuar një darkë familjare. Në tavolinë ndodheshin edhe djali 18-vjeçar i bashkëjetueses, xhaxhai i tij dhe persona të tjerë.
Mësohet se gjatë konsumimit të alkoolit ka nisur një debat mes tyre, i cili më pas ka agravuar në dhunë fizike. Më pas, 37-vjeçari dyshohet se ka marrë një mjet prerës dhe ka goditur në kokë 18-vjeçarin me iniciale A. S., duke i shkaktuar dëmtime në kokë.
I riu është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës rreth orës 21:55, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Pas ngjarjes, 37-vjeçari është larguar nga vendi i konfliktit, por shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e tij.
View this post on Instagram
Njoftimi i plotë i Policisë:
Plagosi me mjet prerës djalin e bashkëjetueses, falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë lokalizohet dhe vihet në pranga 37-vjeçari.
Rreth orës 21:55, në spital është paraqitur i dëmtuar në kokë, dyshohet me mjet prerës, shtetasi A. S., rreth 18 vjeç, i cili, sipas të dhënave paraprake, është dëmtuar gjatë një konflikti për motive të dobëta me njerkun e tij, shtetasin N. B., 37 vjeç.
Pas ngjarjes, 37-vjeçari është larguar nga vendi i konfliktit. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe shoqërimi në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale, i autorit të dyshuar të ngjarjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën në terren për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti të rëndë./ZËRI