Aktualitet

Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë, autorët e qëlluan me 9 plumba dhe u larguan me skaf! E kaluara kriminale e 50-vjeçarit

Sipas informacioneve paraprake, autorët, të cilët ishin të maskuar dhe të pajisur me skafandra, janë larguar më pas në drejtim të zonës së plazheve.

zh.ll
Atentati ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë, autorët e qëlluan
vendngjarje-Thimjo Rubati

SARANDË- Detaje të reja kanë dalë nga atentati ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati, i cili mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme në Sarandë.

Sipas burimeve, autorët kanë ardhur nga rruga "Mit'hat Hoxha", në drejtim nga stadiumi drejt portit, ku kanë qëlluar në drejtim të Rubatit me 9 plumba, duke përdorur një pistoletë të kalibrit 9 mm. Pas sulmit, ata janë kthyer në të njëjtën rrugë nga e cila kishin ardhur për t'u larguar.

Sipas informacioneve paraprake, autorët, të cilët ishin të maskuar dhe të pajisur me skafandra, janë larguar më pas në drejtim të zonës së plazheve. Dyshohet se kanë përdorur një skaf për t'u larguar, ndërsa policia ka vijuar kontrollet gjatë gjithë natës dhe kërkimet vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Ndërkohë, i plagosuri është transportuar për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Rubati ka qenë i vetëdijshëm pas sulmit, por nuk ka mundur të identifikojë autorët, duke deklaruar se nuk i ka njohur personat që e qëlluan.

Nga të dhënat paraprake, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar ndaj 50-vjeçarit. Ekspertiza e kryer në vendin e ngjarjes ka konfirmuar se ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, pistoletë të kalibrit 9 mm, ku janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 gëzhoja.

I plagosuri Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sander Rubati, 50-vjeç, është një person i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke. Ai rezulton një personazh me një skedë të pasur kriminale, me precedentë penalë për trafik klandestinësh, kontrabandë dhe armëmbajtje pa leje.

Mësohet se vitet e fundit, 50-vjeçari kishte lënë qelinë e një burgu në shtetin fqinj, Greqi, ku vuante dënimin i akuzuar për një ngjarje mjaft të rëndë penale. Gjatë kohës që Rubati ndodhej i izoluar në burgun grek, autoritetet shqiptare e kërkonin atë zyrtarisht për llogari të një dosjeje voluminoze korrupsioni dhe kontrabande.

Në vitin 2018 ai ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vjet burg për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave qe janë kontrabandë” dhe “Kontrabandë me mallrat e tjerë”, lidhur me një skemë të kontrabandës së automjeteve ku ishin përfshirë dhe doganierë. Por teksa ndodhej në burg në Greqi, Gjykata e Apelit ia konvertoi dënimin në vitin 2023 në 2 vjet shërbim prove, duke bërë që pas ardhjes nga Greqia, Rubati mos të kryente asnjë ditë burg për dënimin shqiptar.

Pas daljes nga burgu grek, në janar 2024, ai u procedua sërish në gjendje të lirë nga policia e Sarandës pasi u dyshua së në bashkëpunim më një shtetas tjetër, kishte trafikuar një automjet “Toyota” dhe i kishte ndryshuar elementët identifikues.

Emri i tij është përmendur edhe në raste të tjera të hetuara ndër vite, përfshirë çështje që lidhen me trafik klandestinësh, armëmbajtje dhe kontrabandë automjetesh.

Ai ishte i përfshirë në një skemë të fuqishme të trafikimit dhe kontrabandimit të makinave, ku implikoheshin edhe zyrtarë doganorë. Në vitin 2002 është arrestuar për trafikim minorenësh, ndërsa në vitin 2012 për rrëmbimin e një 16-vjeçareje./ZËRI

Poll

MOS HUMB