Aktualitet

Atentati i organizuar ndaj Thimjo Rubatit: Nga konfliktet e të birit, tek larja e hesapeve…

Një pistë që u verifikua pas ngjarjes ishte edhe konflikti i ndodhur një natë më parë, ku djali i Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, u përfshi në një ngjarje dhune dhe kanosjeje ndaj oficerit të policisë Mihal Velço.

zh.ll
Atentati i organizuar ndaj Thimjo Rubatit: Nga konfliktet e të birit, tek
thimjo rubati-vendngjarje

SARANDË- Atentati me 9 plumba ndaj Thimjo Rubatit në Sarandë vijon të mbetet pa autor, ndërsa grupi hetimor po analizon gjurmët e lëna dhe lëvizjet e tyre pas sulmit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur 9 gëzhoja pistolete të kalibrit 9 mm, çka konfirmon se ndaj 50-vjeçarit është qëlluar disa herë.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, dy autorët dyshohet se janë larguar menjëherë pas atentatit me motor në drejtim të zonës së plazheve, në lagjen e quajtur “Baba Rexhepi”. Më pas, hetuesit dyshojnë se ata mund të kenë përdorur një skaf për t’u larguar nga zona. Gjatë natës, policia ka vijuar kontrollet në terren dhe krehjen e zonës për gjetjen e motorit të përdorur nga autorët, si dhe për sigurimin e provave të tjera që mund të ndihmojnë në identifikimin e tyre.

Një pistë që u verifikua pas ngjarjes ishte edhe konflikti i ndodhur një natë më parë, ku djali i Thimjo Rubatit, Andrea Rubati, së bashku me dy persona të tjerë, u përfshi në një ngjarje dhune dhe kanosjeje ndaj oficerit të policisë Mihal Velço. Megjithatë, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kjo pistë është përjashtuar aktualisht nga hetimi.

Madje, sipas hetuesve, dyshohet se kjo ngjarje mund të jetë përdorur si një element për të larguar vëmendjen nga autorët e vërtetë të atentatit.

Aktualisht policia po heton disa pista, ku përfshihen konfliktet e hershme, larja e hesapeve, si edhe e shkuara e 50-vjeçarit, i cili prej vitesh rezulton një person i njohur për autoritetet shqiptare dhe greke.

Por, edhe djali i tij, shtetasi Andrea Rubati, rezulton person me precedentë penalë, i arrestuar në qershor 2022, pasi është kapur në drejtimin e një automjeti, që rezultonte i vjedhur në Itali. Në qershor të këtij viti, sipas burimeve policore, dyshohet se i është larguar postbllokut të FNSH, ndërsa prej 48 orësh është në kërkim për kanosjen dhe dhunimin e oficerit të policisë Mihal Velço./ZËRI

Poll

MOS HUMB