
TIRANË- Dhjetë klientë të "Raiffeisen Bank" kanë dalë "me humbje", pasi u janë marrë para nga llogaritë e tyre bankare. Paratë u janë marrë nga një punonjëse e bankës në degën e Çorovodës. Në një dokument të publikuar nga "Lajmi i fundit", sqarohet se çështja ka përfunduar në gjyq, ku e paditur është marrë punonjësja e bankës, e identifikuar me inicialet M.E. Kjo e fundit ka punuar për plot 9 vjet në "Raiffeisen Bank", nga viti 2004 deri në vitin 2013. Por pas zbulimit, është shkarkuar nga detyra.
Punonjësja në fjalë ka shfrytëzuar aksesin që i jepte detyra që kishte brenda bankës për të hyrë në llogaritë e klientëve dhe në sistemin e bankës. Nga llogaritë e klientëve ajo tërhiqte para që u përkisnin qytetarëve. Edhe pse veprimet në llogari duhet të kryhen vetëm me kërkesë të klientëve, ajo ka shkelur rregullar dhe udhëzimet duke marrë para nga llogaritë e tyre bankare. Por për të mos lënë gjurmë, kishte përdorur të dhënat e kolegëve për t'u loguar në sistemin e Bankës.
DOKUMENTI GJYQËSOR:

Në rastin në shqyrtim, nga provat e paraqitura prej palës së paditur rezulton se vërtetohet plotësisht, të paktën fakti, që paditësja ka kryer transaksione debitimesh nga llogaritë e klientëve pa praninë fizike të tyre në 10 rastet e vërtetuara me mandat-pagesat e paraqitura. Sikurse është përmendur, këto transaksione rezulton të jenë kryer të gjitha në një datë të vetme. Gjykata vlerëson se duke vërtetuar këtë fakt pala punëdhënëse ka arritur të provojë shkeljen e detyrimeve kontraktuale me faj të rëndë prej paditëses, sepse kryerja e veprimeve debituese në llogaritë e klientëve prej paditëses pa praninë e tyre fizike rezulton të ketë qenë shprehimisht e ndaluar nga neni 4.4. i rregullores mbi Procedurën Operacionale "Shërbimi Cash në Sportel", një kopje e të cilës u paraqit prej palës së paditur. Po kështu, gjykata gjen të bazuar pretendimin e palës së paditur se këto veprime të paditëses mund të sillnin eventualisht dëm material e moral për punëdhënësin, nëse paditej prej klientëve të vet, të cilëve iu ishin cënuar llogaritë bankare pa iu marrë nënshkrimi.
Pra, sqarohet se punonjësja ka shfrytëzuar aksesin që i jepte puna për të hyrë në llogaritë e klientëve dhe në sistemin e vetë bankës, dhe pa praninë e tyre të tërhiqte para. Pasi ka dedektuar marrjen e parave, edhe Banka ka shprehur shqetësim për faktin se mund të paditej nga klientët, të cilëve u ishin cënuar llogaritë bankare dhe u ishin marrë paratë. Megjithatë, edhe pse punonjësja është shkarkuar, nuk është e qartë sesa është shuma e parave që u janë marrë klientëve në Çorovodë të Beratit./ZËRI