Aktualitet

72 orë nën pushtetin e flakëve/ Zjarri tek inceneratori i Elbasanit, nis ndërhyrja nga ajri

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë me dije në një njoftim për shtyp se në terren po operohet me mjete të shtuara, por ende nuk kanë mundur që t'i vendosin nën kontroll flakët.

k.m.
72 orë nën pushtetin e flakëve/ Zjarri tek inceneratori i
Pamje nga ndërhyrja

ELBASAN- Zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve në inceneratorin e Elbasanit vijon për të tretën ditë rresht. Ndërkohë që në të gjithë zonën dhe qytetin vijon të çlirohet tymi toksik nga djegia e pakontrolluar e mbetjeve urbane, ka nisur ndërhyrja nga ajri. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë me dije në një njoftim për shtyp se në terren po operohet me mjete të shtuara, por ende nuk kanë mundur që t'i vendosin nën kontroll flakët. Tashmë me mjetet e shtuara, po tentohet që flakët të izolohen, duke ndërhyrë si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

"Operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore. Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis,"-bëhet me dije nga AKMC. 

Njoftim për shtyp i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

Prej më shumë se 72 orësh, vijon puna intensive për izolimin e vatrës së zjarrit në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane të Bashkisë Elbasan. Situata mbetet dinamike dhe nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave vendore dhe qendrore. Në terren po operohet me mjete të shtuara dhe më shumë se 100 forca të angazhuara nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë fqinje sikundër dhe nga Forcat e Armatosura.

Ndërhyrja është përqendruar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit me 10 mjete zjarrfikëse dhe 20 mjete të specializuara.

Aktualisht mjetet e rënda vetshkarkuese dhe forcat xheniere po punojnë njëkohësisht për mbulimin e vatrës, ndërkohë që pompa thithëse me kapacitet të lartë mundësojnë hedhjen e ujit direkt në vatrën aktive. Gjithashtu, operacioni mbështetet nga ndërhyrja ajrore, ndërsa në terren ndodhet ekipi i ekspertëve të Forcave të Armatosura, të cilët po kryejnë matje të vazhdueshme të nivelit të ndotjes dhe rrezikshmërisë mjedisore. Autoritetet vendore dhe qendrore mbeten të angazhuara për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe për të minimizuar ndikimin në mjedis. Publiku do të vijojë të informohet rregullisht mbi zhvillimet më të fundit.

Në terren sot ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu. 

“Jemi në një situatë ku ka rënie të intensitetit dhe kjo është gjë e mirë ndaj duhet të vazhdojmë përpjekjet për fikjen totale, sipas kërkesave të grupit në terren që përcakton nevojat. Pas kësaj situate duhet të merren vendime përsa i përket përgjegjësive, të ardhmes së këtij vendgrumbullimi, shtrirjes së tij, metodat sesi kapsulohet dhe kemi një grup në punë e sipër nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia të cilët shumë shpejt do të na thonë planet në mënyrë që këto ndodhi të mos përsëriten,”- tha ministri.

Ndërkohë, mijëra banorë që jetojnë në Elbasan ankohen për ndotjen e ajrit dhe erën e rëndë të shkaktuar nga djegia e mbeturinave. Sakaq, Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë prej tre ditësh kanë nisur hetimet në lidhje me shkaqet e këtij zjarri./ZËRI

Poll

MOS HUMB