
TIRANË- Hetimet e Policisë së Shtetit për zhdukjen e Eraldo Muçës janë fokusuar në dy pista kryesore. E para dyshohet se 30-vjecari të jetë larguar vetë nga Shqipëria duke dalë ilegalisht nga vendi. Kjo sepse në sistemin TIMS nuk ka asnjë shenjë që ai të ketë kaluar kufirin me pasaportë. Ndaj ka dyshime se mund të jetë larguar në Greqi.
Sipas "AbcNews", pista e dytë ku hetimet janë fokusuar është një ngjarje e mundshme kriminale. Por për momentin, përveç dyshimeve nuk ka të dhëna të tjera.
Nga hetimet e kryera deri më tani, Policia ka mundur të zbulojë se 30-vjeçari është parë për herë të fundit në Durrës, atje ku ka pasur njohje me një vajzë. Më 15 qershor, ai është nisur nga Memaliaj për në Durrës, ku edhe është dokumentuar se në zonën e Sukthit është takuar me një person. Nga ky moment nuk ka më asnjë shenjë prej tij. Prej 15 qershorit, 30-vjeçari nuk është përgjigjur më në telefon dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Më 24 qershor, babai i tij, S. Muça, 73 vjeç, ka bërë kallëzim në Stacionin e Policisë në Memaliaj, duke raportuar se prej 9 ditësh kishte humbur çdo kontakt me të birin.
30-vjeçari Eraldo Muça zhdukur pa gjurmë, njihej si një nga miqtë e besuar të Aleksandër Sadikaj, i cili u vra me lëndë plasësë në mjetin e tij në vitin 2022./ZËRI