Aktualitet

Zhduket pa gjurmë Eraldo Muça, shoku i Aleksandër Sadikajt/ Familjarët: Ishte nisur drejt Durrësit

Të shqetësuar për fatin e tij kanë shkuar për të bërë një kallëzim në Policinë e Shtetit, ku edhe kërkojnë të zbulohet se çfarë ka ndodhur me të afërmin e tyre.

k.m.
Zhduket pa gjurmë Eraldo Muça, shoku i Aleksandër Sadikajt/
Aleksandër Sadikaj

TIRANË- Eraldo Muça, një prej miqëve më të ngushtë të të ndjerit Aleksandër Sadikaj është zhdukur pa lënë gjurmë. Muça është zhdukur prej më shumë se dy javësh në Memaliaj dhe familjarët nuk kanë mundur që të kenë më kontakte me të. Të shqetësuar për fatin e tij kanë shkuar për të bërë një kallëzim në Policinë e Shtetit, ku edhe kërkojnë të zbulohet se çfarë ka ndodhur me të afërmin e tyre.

Para se të zhdukej, Eraldo ka ndaluar tek ferma e kuajve të familjes Sadikaj, "Sancho Farm", dhe më pas nga Tepelena është nisur për të udhëtuar drejt Durrësit, por nuk dihet se cili do të ishte destinacioni i tij final. Për herë të fundit është parë në autostradën Durrës-Tiranë dhe nga ai moment nuk ka asnjë të dhënë rreth tij. Sipas gazetares Klodiana Lala, familjarët kanë dyshime se mund të ketë ndodhur më e keqja dhe se djali i vetëm i familjës është sulmuarr për motive hakmarrje. Megjithatë, kjo është vetëm një nga pistat që po heton Policia e Shtetit, pasi për momentin nuk i ka përjashtuar as pistat e tjera. 

Si ndodhi vrasja e 27-vjeçarit?

Mëngjesin e 12 qershorit 2020, Aleksi u nis drejt një qendre tregtare pa e ditur që rruga do t’i pritej në mes. Personat që e donin të vdekur e vëzhgonin gjatë gjithë kohës dhe në momentin që rruga u ngushtua pakëz, në mënyrë që të mos kishte dëme kolaterale, tritoli që ishte vënë poshtë sediljes së shoferit, shpërtheu. Sadikaj ishte vetëm në makinë dhe nuk dimë të themi nëse do të kishte shpëtuar po të kishte marrë ndonjë person tjetër me vete, por ajo ç’ka deshën autorët e ngjarjes, u realizua. 27-vjeçari ndërroi jetë në spital në një mënyrë makabre, duke u përpëlitur e me këmbë të këputura, skenar që tregon se synimi i autorëve përveç vrasjes së Sadikajt, ishte që të jepnin edhe një mesazh. Familja Sadikajt mohon në mënyrë kategorike që Aleksandri të ketë qenë një djalë problematik. E motra, Vanesa ka folur disa herë për mediat dhe ka shpjeguar se 27-vjeçari ishte një njeri i ndershëm, i qetë, shumë i dashur me kafshët dhe që nuk i kishte hyrë në hak askujt. Ajo madje mohon që në shtëpinë e të vëllait të saj të jetë gjetur kanabis, siç u raportua pas kontrollit të bërë pas atentatit, por tha se bëhej fjalë për lule. Para me fajde? Sigurisht që jepte, sipas motrës së viktimës që shton se në mënyrë absolute askush nuk të vret për shumat e vogla që kishte huazuar Sadikaj. I riu vinte nga prindër të divorcuar, ngjarje e ndodhur para shtatë vitesh. Dhe pikërisht kjo ngjarje ka qenë drama e jetës së Sadikajt që shënoi kthesë në mënyrën se si i riu vendosi të menaxhonte ardhmen. Në vitin 2011, kur Aleksandër Sadikaj ishte vetëm 20 vjeç nisi t’i futej ‘botës së errët’. Vepra e parë penale ishte vjedhje, ngjarje e ndodhur në Berat. Shtatë vitet e fundit, Sadikaj rezulton banues në Tiranë, por jetën e ndante mes Shqipërisë e Greqisë në mënyrë që të takonte edhe të atin që jeton në vendin fqinj.

Nëna e Aleksandër Sadikajt ka rrëfyer se djali i saj, para se të vritej kishte qëndruar në hotelin “Blu Sky” në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, i cili u vra më vonë në Tiranë, duke shtuar dyshimet se familja Papa kishte gisht në ekzekutimin mafioz të 27-vjeçarit. Sipas informacioneve që ka dhënë nëna e Sadikajt, djali i saj nuk ka qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, që i ka identifikuar si Ledjani (dyshohet se është personi që përmend edhe e motra) dhe Xhoni. Të dy, nëna e Sadikajt i përmend si të përfshirë në krim. Në dosje bëhet e ditur se Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip Golf të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti. Nëna e Sadikajt ka folur dhe për një konflikt për një pronë që kishte blerë Sadikaj, të cilës ia kishte vënë syrin edhe Papa, bashkë me dy djemtë, Ledjani e Xhoni. Disa muaj pas vrasjes së Sadikajt, në dhjetor u vra Edmond Papa. Të pandehur për vrasjen janë marrë Albano Velo dhe Andrew Bode, të cilët janë shokët e Aleksandër Sadikaj.

Gazeta greke “Documento”, e gazetarit të njohur investigativ Kostas Vaxevanis, ka nxjerrë detaje nga dosja e "SkyECC" kur përmendet edhe 27-vjeçari i vrarë me tritol në Tiranë, Aleksandër Sadikaj. Efektivët grekë i kanë gjetur kodin që i riu ka pasur në “Encrochat” dhe në aplikacionin e koduar, "SkyECC". Në njërin përdorte nofkën “loneeagle” dhe në “Sky ECC” futej me PIN “BSPN6M”. Në shtetin fqinjë, Sadikaj njihej edhe me mbiemrin Kalemi dhe ishte drejtues i një grupi kriminal që merrej me trafikun e marijuanës nga Spanja e Shqipëria për në Greqi. Në dosje është zbardhur edhe një episod trafiku droge, të shoqëruar me një transfertë 400 mijë euro, por edhe porosia për vrasjen e Ari Papës. Po ashtu, më shumë u zbulua edhe lidhur me lidhjet familjare që Sadikaj kishte me Adriatik Kalemin./ZËRI 

Poll

MOS HUMB